Duket si një subjekt novele, apo romani, por nuk është kështu. Një qen me emrin Kiko i ka shpëtuar jetën një familjeje në lagjen 18 të Durrësit.
Tërmeti i 26 nëntorit ra në orën 3:55 të mëngjesit, çka do të thotë se njerëzit kanë qenë ende në gjumë. Por, historia e një familjeje në Durrës që banonte prej vitesh në pallatin që u shemb plotësisht dhe ishte i pari që u shkatërrua, të emocionon.
Gazetarja Anila Hoxha teksa udhëtoi me shumë banorë të pastrehë që u zhvendosën nga rruga në komplekset hoteliere mësoi historinë e një zonje, që atë dhe familjarët e saj i shpëtoi qeni me emrin “Kiko”
Sipas një studimi të ri kafshët janë në gjendje të ndjejnë diçka që njerëzit nuk munden. Shkencëtarët kanë zbuluar se aktiviteti i kafshëve ra në mënyrë të konsiderueshme përpara se të ndodhte një tërmet me madhësi 7 ballë, shkruan Top Channel.
Gjithsesi, në rastin e qenit Kiko, pak para se të binte tërmeti shkatërrimtar, ai ka shkuar në dhomën e gjumit dhe ka tentuar të zgjojë familjarët. Por, ata nuk ja kanë vënë veshin dhe qeni në këtë rast, duke parandjerë tërmetin u ka tërhequr jorganin, ndërsa më pas të zotët kanë ndjerë tronditjen e tmerrshme.
Por, në momentin kur të zotët e shtëpisë kanë dalë janë rikthyer në pak sekonda për të rimarrë Kikon, qenin që u shpëtoi jetën.