Rrëfimi i Dardan Molliqajt për dhe me Albin Kurtin

Rrëfimi i Dardan Molliqajt për dhe me Albin Kurtin

Dardan Molliqaj që ishte sekretar i Vetëvendosjes, e më vonë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës ka folur gjatë, për kohën sa ishte në Vetëvendosje dhe për marrëdhënien e tij me Albin Kurtin.

Ai në emisionin Oxygen ka thënë se Kurtin e kishte inspirim, por thotë se tashmë ai është tjetërsuar.

Ai tregoi se si Kurti i tha ta lexonte Leninin, tregoi kur filloi ndarja mes këtyre dyve dhe deklaron se pavarësisht të gjithave është ithtarë që Kurti të bëhet kryeministër dhe shpjegon pse, raporton oxygenpress.info

“Prej një personi që më ka inspiruar mua personalisht, ka qenë inspirues për angazhimin tim politikë, shndërrohet në personin që më ka zhgënjyer poashtu politikisht. Qytetarët janë gëzuar, shpresojë që ata të kenë të drejtë, jo unë, por politika i ka këto. Kemi punu bashkë shumë, unë kam mësuar shumë. Edhe kur dolëm, dolëm jo shumë, që na kallxuan edhe qytetarët”, thotë ai.

Molliqaj thotë se janë çliruar prej që kanë dal nga Vetwvendosja, ngase sipas tij, thotë se e kanë kuptuar që përveç gjërave të mira, kishte pasur edhe dogma, ngase nganjëherë për disa gjëra i kanë mbyllur sytë për shkak grupit.

Thotë se zgjedhjet u treguan që veprimi i tyre nuk është kuptuar.

Molliqaj teksa citon një mik të tij thotë ““ata që mesin në mes ata vdesin të parët, sepse në dy anët istikame” pra ne mbetëm në mes dhe vdiqëm të parët”.

“Grupi dolëm, por fansat nuk dolën. Pra Albini mbeti vetëm e edhe fansat me të. Kjo është përgjigja që dhanë njerëzit”, thotë ai.

Molliqaj shpjegon se kur e takoi Albin Kurtin ai ia dha një libër, tw Leninit, për ta lexuar.

“Është njeriu që e kam lexu krejt, më duket jam i vetmi në Vetëvendosje që  e kam pas lexu krejt, e një nga gjërat që e thotë është; nuk bën me dëgju muzikë sepse muzika ja zbutë shpirtin revolucionarit, e prandaj nuk dëgjoj muzikë. Albini ma pat dhënë atë libër. Edhe Albini besoj i ka lexu por jo krejt vëllimet, unë i kam lexu gjithçka që e ka të përkthyer në shqip. Për mendimin tim, Lenini na ka ndarë me Albinin. Në vitin 2014 ndodhën zgjedhjet, dhe tentativa për ta ndërtuar Qeverinë me VLAN-in, dhe ishte kompromisi i parë që Vetëvendosje e bënte, dhe duhej dhënë një shpjegim pse po bëhet”, thotë ai, raporton oxygenpress.info

“Në emër të Vetëvendosjes kompromisi ishte diçka e keqe. E unë e lexoja Leninin, e duhej me shpejgu disi. Lenini e shpjegonte në kuptimin strategjik kompromisin. Ne atë kohë këtë VLAN-in e quajtëm kompromis ideologjik të djathtë që ishte i pranueshëm për strukturat tona dhe mbajtëm një diskutim dhe unë e shpjegova pse VLAN-i ka kuptim dhe në kuadër të kësaj Albini ishte i entuziazmuar me ato që thash në mbledhje dhe në momentin që përmendej filozof që Vetëvendosjes i pëlqenin kishte një lloj nënshtrimi të vullnetshëm. E pikërisht këtu i thash dy shqetësime që ja shpreha: koncepti leninist i ka dy defekte të mëdha; e para na duhet me konstektualizu në kohë Leninin, sepse jemi në shekullin 21 e ka shumë zhvillime të reja dhe duhet pasur kapacitet që i thash se unë nuk e kam. Dhe e dyta i thash që struktura leniniste pashmangshëm qon ne liderin autoritar. Dhe ndonëse kemi vazhduar me qenë shokë deri në shtator tetor të vitit 2016, por ndarja jonë politikë, joshoqërore, jo e marrëdhënies aty ka ndodhur”, thotë Dardan Molliqaj.

Ai thotë se nuk e do më Albinin por që nuk ka as arsye që me e sha, ngase nuk i ka bërë asgjë keq, e thotë se keq nuk i ka bërë as qytetarëve.

“Unë pse nuk e dua më është për shkak të bindjeve të mia, që janë të thella, aq të thella sa kur kam hy në Vetëvendosje në vitin 2005, por ai është tjetërsuar. Unë besoj se çka ju kemi folur njerëzve për 15 vite; ne nuk do të bëhemi sikur të tjerët, por unë çka po shoh, e ndoshta për dikë s’po shoh mirë ai nuk është qysh ka qenë. Ai gjithçka po përdor për interesa partiake”, thotë Molliqaj.

Ai thotë që e ka pasur inspirim, e falënderon për këtë pjesë, por thotë se e vërteta më e madhe e Albinit janë PSD-ja dhe grupi që kanë dalur.

“Nuk kam fol në ndonjë emision prej që kanë përfunduar zgjedhjet. Po ju them diçka që kanë me ma marr shumë inati. Kur ka pas ra LDK-ja prej pushtetit njerëzit u patën gëzuar shumë, për plotë gjëra, e pat fitu PDK-ja dhe u patën gëzuar njerëzit. Më i madh ka qenë gëzimi që shkoi PDK-ja në opozitë sikur që jam gëzuar unë dhe shumë të tjerë. Unë po ju them që gëzimi hala më i madh ka me qenë kur Albini shkon në opozitë, nuk e di sa gjatë ka me qëndruar, disa kanë me thanë që nga inati. Por për shkak të mënyrës së qeverisjes së tij, irritimi më i madh ka me qenë i njerëzve kur të vjen koha me shku në opozitë”, thotë Molliqaj në Oxygen.

Ai thotë se është ithtarë i madh që Albin Kurti të bëhet kryeministër. Kjo sipas tij, për shkak votave që ka marr dhe për shkak të shpresës së njerëzve që do ndodh ndryshimi.

Sa i përket bisedimeve, thotë se ose do zhvillohen njëlloj me Albin Kurtin ose do e izolojë Kosovën nga faktori ndërkombëtarë.

Kur flet për “Minishengenin”, Molliqaj thotë se pajtohet me Kurtin dhe vlerëson se Edi Rama ka bërë gabim në hapa përderisa nuk ka pasur dakordim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe pse dyshon te motivet e Kurtit në këtë temë.

Molliqaj në fund ka thënë se kurrë nuk bëhet i djathtë, kurrë nuk heq dorë në bashkimin e shqiptarëve, beson në konceptin si barazia, liria dhe drejtësia, me prioritet barazia. Thotë se gjithçka mundet me ndërruar përveç parimeve.