Shtatë kompani të autobusëve në Lipjan, rrisin çmimet e biletave për 40 për qind

Shtatë kompani të autobusëve në relacionet Prishtinë-Lipjan – Shalë dhe Dobrajë-Prishtinë, janë marrë vesh që së bashku t’i rrisin çmimet e biletave të udhëtarëve, për 40 për qind. Mirëpo, në nenin 4 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës konsiderohen të ndaluara të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, gjithashtu edhe vendimet e marrura ne mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkrenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant.

Shtatë kompani të autobusëve në Lipjan, rrisin çmimet e biletave për 40 për qind

Shtatë kompani të autobusëve në relacionet Prishtinë-Lipjan – Shalë dhe Dobrajë-Prishtinë, janë marrë vesh që së bashku t’i rrisin çmimet e biletave të udhëtarëve, për 40 për qind.

Në relacionin Prishtinë-Shalë biletat e udhëtarëve janë rritur nga 1.00 euro në 1.50 euro, në relacionet Prishtinë-Lipjan biletat janë rritur nga 0.50 centë në 0.70 centë, ndërkaq në linjën Dobrajë-Prishtinë biletat janë rritur nga 0.50 centë në 0.80 centë.

Këto çmime u rritën nga kompanitë “Erxhani”, “Shala Trans”, “Lipjani Sh.p.k”, “Gmica Trans” “Titi”, “Afërdita” dhe “Erona”, të cilat bashkërisht kanë vendosur t’i rrisin çmimet e biletave për udhëtarët e tyre, shkruan Insajderi.

Secila kompani i ka rritur çmimet varësisht prej linjave në të cilat ato e zhvillojnë biznesin e tyre.

Insajderi ka kontaktuar me Bashkim Avdyli, njëri prej anëtarëve të Shoqatës Transportuese të Komunës së Lipjani.

Ai për gazetën tha se çmimet e biletave janë rritur si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe se rritja e biletave nuk është aq e madhe, duke marr parasysh distancën e linjave deri në Prishtinë.

“Është e vërtetë që janë rritur çmimet e biletave, kjo është bë pasi që është rritur edhe çmimi i naftës. Rritja ka ardhur pasi që të gjithë pronarët e shtatë kompanive janë marrur vesh mes-veti në mbledhjen që është mbajtur nga Shoqata jonë. Nuk mendoj që rritja e çmimit të biletave është aq e madhe duke e marr parasysh distancën, p.sh prej Shalës deri në Prishtinë janë afërisht 30 kilometra”, ka thënë Avdyli për Insajderi.

Mirëpo, në nenin 4 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës konsiderohen të ndaluara të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, gjithashtu edhe vendimet e marrura ne mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkrenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant.

Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga Autoriteti Kosovar i Konkurencës, lidhur me dyshimet për shkeljen e nenit 4 të Ligjit të Konkurrencës.

Ky institucion e ka shqyrtuar lëndën edhe përkundër asaj se me ligjin kundër konkurrencës është e ndaluar marrëveshja mes dy e më shumë ndërmarrjeve, AKK nuk e sheh si jo të ndjeshëm veprimin e shtatë kompanive.

“Pas shqyrtimit të situates në tregun relevant, vlersojmë se ka një prakitikë të bashkërenduar në mes të pronarëve të ndërmarrjeve që transportojnë udhëtar nga Komuna e Lipjanit në Prishtinë dhe anasjelltas. Konstatojmë se këto veprime kanë ndikim jo të ndjeshëm mbi konkurencën në tregun përkatës, duke u bazuar në nenin 35 paragrafin 4 të Ligjit 03/L-229 për mbrojtjen e Konkurrencës. Autoriteti Kosovar I Konkurencës do të vazhdojë edhe më tutje monitorimin dhe sjelljen e ndërmarrjeve në tregun përkatës në kuptim të dispozitave të Ligjit Nr. 03/L-229 për mbrojtjen e Konkurrencës. Ky konkluzion hynë në fuqi ditën e nënshkrimit nga Komisioni”, thuhet në konkluzionin e publikuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurencës.

Autoriteti Kosovar i Konkurencës, gjithashtu ka vlerësuar edhe anëkesat e qytetarëve nga Komuna e Lipjanit lidhur me rritjen e këtyre çmimeve si dhe ka monituruar treguan relevant në bisedat me pronarë të ndërmarrjeve trannsportuese të udhëtarëve nga Lipjani.

“Gjatë bisedave me pronarët e këtyre kompanive kami konstatuar se ata kanë ngritur çmimet nga 0,50 euro në 0,70 euro e shprehur në përqindje afër 40 % shtrejtim i biletës së udhëtarëve për relacionin Lipjan-Prishtinë dhe anasjelltas. Ndërmarrjet transportuese të Komunës së Lipjani me datën 24.08.2019 janë takuar në një mbledhje dhe kanë vendosur për themelimin e Shoqatës së  Transportierëve të Komunës së Lipjanit ndër të tjera ata kanë diskutuar për ngritjen e çmimit të biletave për relacionet Lipjan-Prishtinë dhe anasjelltas”, thuhet në konkluzionin e AKK-së.