Propozohet për president, vjen reagimi i Jakup Krasniqit

Propozohet për president, vjen reagimi i Jakup Krasniqit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se nuk është fare në dijeni për propozimin e bashkëpartiakut të tij, Enver Hotit, që ish-kryeparlamentari i Kosovës të kandidohet për president të vendit.

Krasniqi ka thënë sot se kjo çështje nuk ka qenë fare temë diskutimi në partinë e tyre dhe se nuk është ende rendi të diskutohet për president, pasi që fillimisht duhet të bëhet krijimi i qeverisë.

“Jo more çfarë, as nuk kanë bisedu dhe as nuk kemi bisedu, çfarë, për këtë çështje, presidenti është, Kosova një herë ka problem krijimin e qeverisë, nuk është në rend dite çështja e presidentit”, tha ai.

Ai tha se Nisma nuk e ka diskutuar fare çështjen për presidentit, ndërsa shton se kjo ide ka qenë vetë mendimi personal i Hotit dhe asgjë më shumë.

“Jo nuk e kemi diskutu brenda partisë, e pash edhe në medie, është mendimi i tij personal nuk kemi bisedu për atë çështje”, tha ai për Gazetën Blic.

Ndërkaq, në një prononcim për Insajderin të mërkurën, Enver Hoti i Nismës tha se ka zgjidhje për ngërçin e krijuar.

“Ne kemi mundësinë të ofrojmë kandidatin që ka potencial dhe vlera për këtë vend si në të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen – besoj do t’i kishte pajtuar këto zemra të ngrira për këtë post. Ai është Jakup Krasniqi”, u shpreh Hoti në një bisedë telefonike me Insajderin. /Insajderi.com