“O Agim… sekseri, uzurpatori”, muaji hiperaktiv i Agim Ademit me skandalin e rrahjes dhe shkarkimin nga inati

“O Agim… sekseri, uzurpatori”, muaji hiperaktiv i Agim Ademit me skandalin e rrahjes dhe shkarkimin nga inati

Shkarkimi nga detyra i zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmetit, disa ditë pas një iniciative që ai ndërmori për mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda federatës, nuk është i vetmi veprim i dyshimtë që rëndon mbi Agim Ademin gjatë 30 ditëve të fundit.

Një tjetër skandal që implikon direkt kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës është shpërfaqur në fillim të muajit nëntor. Rasti kishte ndodhur në fund të muajit shtator të këtij viti.

Siç kishte raportuar Gazeta Metro, Agim Ademi dhe Muharrem Rama më 28 shtator e kishin sulmuar në parkun e Gërmisë, doktorin 68-vjeçar, Mehmet Maxhunin.

Ademi dhe Rama, sipas provave që posedon Prokuroria e Shtetit, e kishin goditur nga mbrapa ish-doktorin e kombëtares U21 të Kosovës, derisa ai po ecte me dy shokët e tij në Parkun e Gërmisë.

Derisa Mehmet Maxhuni po punonte në ekipin mjekësor të FFK-së për U21, Agim Ademi me të ardhur në kryet të FFK-së, e kishte larguar nga puna doktorin Maxhuni. Largimi nga puna kishte shkaktuar pakënaqësi të mëdha, si pasojë e së cilës dyshohet të ketë qenë motiv i sulmit në Gërmi, pasi një mesazh i Maxhunit drejtuar Ademit kishte tensionuar shumë situatën.

”O Agim strazhari-rojtari, uzurpatori, sekseri, injoranti ti mendon se me rrena mund te mashtrosh dikend se UEFA FIFA paskan rregulla te dyfishta per dikënd keshtu per dikënd ashtu jo jo ka rregulla. Problemet i ka me ty per vepra kriminale tuat per te cilat je gjobit me burg qe shpejt do te shkosh aty ku e meriton pra ne burg ku e ke vendin”, shkruhej në mesazhin e Maxhunit, drejtuar kreut të FFK-së.

Nga ky sulm dyshohet se kishte pësuar infrakt Hysen Peci, një mik i doktor Maxhunit, i cili kishte qëndruar për 3 javë në QKUK.

Ndërkaq, rreth dy muaj pasi “mori hak” ndaj ish-doktorit të kombëtares U21 të Kosovës, Agim Ademi i është kundërvënë një tjetër rivali të tij brenda organizatës të cilën e drejton. Ka vënë në lëvizje mekanizmat e FFK-së për ta shkarkuar nga pozita zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të federatës, Arianit Ahmetin.

Ahmeti u shkarkua të mërkurën pasdite, disa ditë pasi kishte nisur një fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve për ta thirrur Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, ku edhe kishte pretenduar postin e kryetarit.

Ahmeti, i cili sot u shkarkua me vendim të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, ka thënë sot për Insportin se nuk ka asnjë dëshmi as dokument për këtë vendim. Ka thënë se kjo çfarë po ndodh është “anarki”.

“Unë jam në pushim vjetor, por përmes e-mailit nga ish-sekretari i përgjithshëm (sepse tash duhet të quhet ish-sekrerar) jam ftuar të kthehem në punë për shkak të aktiviteteve. Unë po pres, të shoh, a ka ndonjë letër, ndonjë dëshmi, ndonjë vendim…”, ka thënë Ahmeti për Insportin.

Agim Ademi është në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës prej më shumë se një viti, pasi zëvendësoi në këtë pozitë Fadil Vokrrin, ish-kryetarin e FFK-së, i cili ndërroi jetë në qershor të vitit 2018. /Insajderi.com