Ivan Todosijeviq dënohet me dy vjet burg për deklaratat e tij fyese për masakrën e Reçakut

Ivan Todosijeviq dënohet me dy vjet burg për deklaratat e tij fyese për masakrën e Reçakut

Ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, është dënuar me dy vjet burg, pasi është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lidhur me këtë, ai akuzohej për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të enjten nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Musa Konxheli, ekzekutimi i dënimit me burg, do të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Ai është obliguar që në emër të shpenzimeve të paguajë paushallin gjyqësor 50 euro dhe në emër të fondit të viktimave 50 euro tjera, të cilat do të paguhen pas 30 ditësh, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.