Shteti do të paguajë mbi 1 milion euro për objektet private ku do të vendosen dy ministri të Kosovës

Shteti do të paguajë mbi 1 milion euro për objektet private ku do të vendosen dy ministri të Kosovës

1 milion e 320 mijë euro në vit do t`i kushtojë shtetit qiraja për objektet në të cilat do të vendosen punëtorët e dy ministrive – ministrisë së Kulturës dhe asaj të Bujqësisë, pasi që Ministria e Administratës Publike, mori vendimin që objekti aktual t`i lëshohet Presidencës. 

Gazeta Insajderi ka marrë vesh nga burime brenda Ministrisë së Kulturës së  qiraja për një muaj, asaj do t`i kushtojë 45 mijë euro bashkë  me TVSH. Kjo shumë për 1 vit do ta kap shifrën e 540,000 eurove.

Ndërsa objekti ku do të zhvendoset Ministria e Bujqësisë do të kushtojë për 1 muaj 65,000 euro me TVSH  ku për 1 vit do të arrijë shifrën e 780,000 eurove, shkruan Insajderi.

Por, kontrata që janë bërë nga Ministria e Administratës Publike, nuk janë të hapura. Nuk dihet se kush është pronar i këtyre objekteve dhe po ashtu nuk dihet se a ka pasur hapësirë për pagesë më të ulët, pasi që, kjo nuk ka shkuar me tenderim.

Për këto objekte nuk është hapur tender por ka shkuar në procedurë të negociuar.

Pas kërkesave të vazhdueshme të zhvendosjes së Presidencës së Kosovës në objektin ku tash është Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e po ashtu edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kësaj të parës iu dha drita jeshile për ta bërë një gjë të tillë.

Kështu, punëtorët e MKRS-së, duke parë koston që do të shpenzohet në lidhje me këtë zhvendosje, nisën një protestë e cila nuk ndaloi për gati një javë. Ata kërkuan që të anulohet ky vendim nga Ministria e Administratës Publike, pasi që, përveç të tjerash, kostoja për zhvendosjen e këtyre dy ministrive do të kapte shifrën e 1 milionë e 320 mijë eurove në vit, shkruan Gazeta Insajderi.

Pas protestave të shumta, MAP, përmes një emaili i njoftoi se do të pezullohet vendimi, dhe se zhvendosjen do ia lë në dorë MKRS-së.

Ndërsa sot, kabineti i ministrit të MKRS-së, ka filluar përgatitjen e dokumentacionit dhe inventarin përkatës për zhvendosje në atë objekt.

Sërish, kundër kësaj janë deklaruara punëtorët e këtij institucioni.

Këshilli Organizativ i Protestës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur këtë se kabineti i ministrit në largim të MKRS-së, Kujtim Gashi, kanë nisur të zhvendosen, ndonëse kjo sipas tyre është e jashtëligjshme.

“Është e pa precedent që pasuria e MKRS, po zhvendoset nga persona jo kompetent që më nuk kanë asnjë përgjegjësi institucionale dhe pa dijeninë e shërbimit te administratës. Kjo le të gjykohet vet nga opinioni se çfarë do të thotë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ata po ashtu kanë thënë se mandati i ministrit në largim Kujtim Gashi, ka përfunduar juridikisht më datën 27 nëntor, pas certifikimit zyrtar nga KQZ.

“Sipas listës zyrtare të KQZ-së, z. Gashi është zgjedhur deputet me çka i përfundon angazhimi në cilësinë e Ministrit në detyrë, sipas nenit 70 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës në të cilën theksohet qartë se mandati i deputetit fillon me certifikimin e rezultatit zgjedhor ne lidhje me nenin 72 – papajtueshmëria e funksionit te deputetit. Për këtë gjë, jemi në dijeni se ekziston edhe interpretim juridik nga ana e Zyrës Ligjore të Zyre së Kryeministrit në vitin 2017. Çdo veprim i tij pas datës 27 nëntor 2019 është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

MKRS, pati deklaruar se këtë vendim e kanë marr me sugjerim të MAP, dhe me anë të një komisioni të kryesuar nga MAP. Lokacioni ku pretendohet të dërgohet MKRS është të ndërtesa e ish-Ramiz Sadikut.

“MKRS-ja do të bartet atje me anë të një operatori të kontraktuar nga MAP-ja për rialokim apo ri-vendosje”, patën thënë ata.

Ndërsa MBPZHR, nuk është marrë me këtë çështje, sa i përket pagesës mujore dhe vendit ku do të vendosen. Ata patën thënë se të gjitha procedurat lidhur me vendosjen e stafit të MBPZHR-së në objekt tjetër, i ka zhvilluar MAP-ja.

“Neve na mbetet vetëm t’i zbatojmë kërkesat e tyre”, kishin deklaruar ata në një përgjigje dhënë KTV-së./ Insajderi.com