Publikohet studimi “Situata aktuale në Arsimin dhe Aftësimin Profesional”

Publikohet studimi “Situata aktuale në Arsimin dhe Aftësimin Profesional”

Sot është mbajtur konferenca e prezantimit të studimit ”Gjendja Aktuale në Arsimin dhe Aftësimin Profesional”. Studimi është përgatitur me mbështetjen e Projektit “Harmonizimi i Arsimit dhe Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës – ALLED 2”.

Sipas një komunikate për media, ky studim ka për qëllim analizimin e politikave kombëtare dhe kornizës ligjore, identifikimin dhe analizimin e ofruesve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë, dhe përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e atyre që do të përkrahen nga projekti ALLED2, bazuar në katër sektorët ekonomikë të përzgjedhur, siç janë Bujqësia, Procesimi i ushqimit, Inxhinieria Mekanike dhe Energjia.

“Kosova ka popullatën më të re në Evropë dhe ka përdorim të lartë të pajisjeve digjitale duke u renditur të pestit në Evropë për mbulueshmëri dhe qasje në internet të shtëpive. Prandaj duhet të aplikohet qasja STEEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Ndërmarrësi dhe Matematikë) e cila paraqet bazamentin për horizonte të reja dhe Industrinë 4.0, në përputhje me Agjendën Dixhitale të BE-së dhe frymën ndërmarrëse”, thuhet në komunikatën për media.

Studimi është realizuar në kuadër projektit ALLED2, duke u bazuar në gjetjet e anketës së realizuar me akterët kryesorë, analizës së nevojave për arsim dhe aftësim relevant për tregun e punës, si dhe analizës së dokumenteve strategjike dhe trendeve Evropiane.

Gjatë këtij prezantimi janë shpallur 20 shkollat profesionale nga 17 Komuna të Kosovës, të cilat do të përfitojnë nga mbështetja e projektit ALLED 2. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Agjensioni Austriak për Koordinim (ADC), dhe zbatohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) si Njësi Operacionale e ADC. Vlera totale e projektit është 4.5 milionë euro.

“Qëllimi i përgjithshëm i projektit ” Harmonizimi i Arsimit dhe Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës ” – ALLED 2″ është zvogëlimi i varfërisë përmes rritjes së pjesëmarrjes në tregun e punës dhe përmirësimit të punësimit të qytetarëve të Kosovës. Qëllimi kryesor është të forcojë cilësinë dhe rëndësinë e programeve të arsimit dhe aftësimit për tregun e punës dhe të mbështesë përshtatjen e kuadrit ligjor dhe mekanizmave si parakusht për rritjen e punësueshmërisë”, thuhet tutje në komunikatë.

Projekti ALLED 2 është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit për Kosovën (2016-2021), Planin e Arsimit dhe Planit Strategjik të Kosovës (2017-2021) dhe Agjendën për Reforma Evropiane./ Insajderi.com