Kjo deklaratë e tij nga Gjykata Themelore e Prishtinës është cilësuar si nxitje e urrejtjes dhe për këtë arsye e ka dënuar Todosijeviqin me 2 vjet burg.
I pari i Listës Serbe, i cili sa herë që institucionet e Kosovës marrin masa ndaj serbëve kërcënohet me largim nga institucionet kosovare, ka mbledhur parinë e partisë së tij dhe ka vendosur që serbët t’i lëshojnë të gjitha institucionet kosovare nëse Apeli vërteton vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin e Teodosijeviqit.
Këtë vendim dhe propozim të Listës Serbe e ka mbështetur edhe Kuvendi i Zveçanit, në mbledhjen që ka mbajtur të premten.
Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, asamblistët e Zveçanit kanë diskutuar edhe për aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka dënuar ish-ministrin Teodosijeviq me dy vjet burg për shkak “Të nxitjes së urrejtjes në baza nacionale, racore, fetare dhe për jotolerancë”. Asamblistët kanë miratuar disa konkluzione për këtë rast, me ç’rast kanë mbështetur paralajmërimin e Listës Serbe që të boshatisin të gjitha institucionet e Prishtinës nga niveli qendror deri tek ai lokal.
Asamblistët e Kuvendit të Zveçanit kanë vlerësuar se me këtë aktvendim është krijuar hapësirë edhe diskriminim të mëtutjeshëm etnik. “Kuvendi i Zveçanit e gjykon aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj deputetit të Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, për ‘Nxitje të urrejtjes mbi baza etnike, racore e fetare’, sepse ky aktvendim tregon se jo vetëm serbët, por edhe banorët tjerë nuk kanë të drejtë në fjalën e lirë, shkruan gazeta “Zëri”.
Një aktvendim i tillë krijon hapësirë për diskriminim të mëtutjeshëm etnik. E drejta dhe drejtësia vlejnë për të gjithë, përveç për serbët në hapësirat e Kosovës. Kuvendi i Zveçanit mbështet propozimin e Listës Serbe që serbët t’i boshatisin të gjitha institucionet e Prishtinës nga niveli qendror deri tek ai lokal. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është drejtësi, por është politikë dhe vendime të tilla nuk kontribuojnë në stabilizimin dhe në pajtimin, të cilin të gjithë e dëshirojmë”, janë disa nga konkluzionet që i ka miratuar Kuvendi i Zveçanit në mbledhjen e së premtes, që i kanë përcjellë të gjitha mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.
“Kuvendi i Zveçanit nuk mbështet një aktvendim të tillë të Gjykatës së Prishtinës dhe vlerëson se me një vendim të tillë janë cenuar të drejtat elementare të secilit qytetar në Kosovë dhe për këtë arsye secili që flet diçka që nuk është, në fakt nuk është në pajtim me vullnetin politik të Prishtinës dhe për këtë do të përgjigjet në gjykatë. Ky aktvendim është precedent edhe për bashkësinë ndërkombëtare, sepse shprehja e lirë është e garantuar me të gjitha aktet ndërkombëtare. Kuvendi i Zveçanit porosit se ky aktgjykim nuk përkon me drejtësinë, por në fakt është aktgjykim politik”, ka thënë kryesuesja e Kuvendit të Zveçanit, Bilana Jarediq.
Ivan Teodosijeviq, kryetar i Organit të Përkohshëm të Zveçanit, komunë paralele e themeluar nga qeveria e Serbisë, në zgjedhjet e 6 tetorit ka fituar vota për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Ramush Haradinajt, por ishte shkarkuar pikërisht për shkak të deklaratave të tij nxitëse lidhur me masakrën e Reçakut.