S’ka interpelancë për arsimin edhe pas një muaji

S’ka interpelancë për arsimin edhe pas një muaji

Ka kaluar një muaj që kur është dorëzuar kërkesa për interpelancë në Kuvend, ku ministri i Arsimit do të raportonte për gjendjen në arsim. Kuvendi nuk ka kthyer ende përgjigje se kur do ministri Arsim Bajrami do të raportojë para deputetëve.

Ndonëse, Kosova u përfaqësua dobët në testin ndërkombëtar PISA, seanca për gjendjen në arsim nuk u diskutua që të mbahet gjatë muajit dhjetor të 2016-ës.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, nga Vetëvendosja, i cili ka dorëzuar kërkesën për këtë interpelancë, ka thënë se po bëhet një muaj që nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Po shpresojmë që tash kur të fillojë Kuvendi që të punojë në pjesën e dytë të janarit, interpelanca do të vijë në rend dite dhe aty do të diskutojmë për shkaqet që e kanë sjellë arsimin në këtë gjendje dhe natyrisht do të propozojmë rrugëzgjidhje nga kjo situatë”, ka thënë Kurteshi për Zërin.

“Në këtë mënyrë duhet të fillojë një punë e mbarë e ndërrimit të gjendjes të cilën e kemi në arsim”, ka shtuar ai.

Sipas tij përgjegjësia duhet të mbahet nga ministri e deri tek nivelet e shkollës.

Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka thënë se vlerësimi i testit PISA do të shënojë një progres të ngritjes së cilësisë.

Për testin PISA, ai ka thënë se ka qenë kërkesë e tij menjëherë pas marrjes së mandatit, në mënyrë që të ketë një matje reale sa i përket cilësisë në arsim.

Mirëpo, Jonuz Salihaj, njohës çështjeve arsimore dhe udhëheqës i departamentit për arsim në AAK, thotë se MAShT-i nga viti 2008 është mjaftuar vetëm me hartimin e strategjive por asnjëherë nuk është mërzitur se si të realizohen ato.

“Nuk ka krijuar kurrfarë mekanizmash të zbatimit, ato thjesht janë përdorur sa për retorikë politike. Nuk mund të pritet cilësi nga ata që e kanë zaptuar çdo nivel të arsimit me nepotizëm dhe joprofesionalizëm”, ka thënë Salihaj.