
Komisioni Qendror Zgjedhor(KQZ), sot i ka bërë publike raportet financiare të kandidatëve që e kanë fituar ulësen e deputetit në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Në mesin e tyre, mbesa e Hashim Thaçit, Evgjeni Thaçi – Dragusha, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, do të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës edhe gjatë ligjëslaturës së shtatë, shkruan Insajderi.
Sipas raportit financiar, Thaçi – Dragusha gjatë një viti, në ulësen e deputetit, ka marrë 21 mijë e 200 euro ndërsa, nga mëditjet ka fituar 777 euro.
Ajo e ka deklaruar edhe pagën vjetore të bashkëshortit të saj, 6900 euro, i cili është zyrtar në Bankën Qendrore në Kosovë. Mbesa e Presidentit Thaçi sipas raportit, ka deklaruar para në gatshme në vlerë të 3 mijë e 522 euro.
E sa i përket pasurisë së patundshme, gjatë 12 muajve të fundit, ajo ka një banesë në Prishtinë 114 metër katror e cila kap vlerën e afro 41 mijë euro.