
Gjykata Themelore në Pejë e ka lënë të lirë Princ Dobroshin, dikur bosin shqiptar të drogës në Evropë, i cili u arrestua të hënën nën dyshimin për rrahjen e Valon Sadikut në Pejë, të dielën në mbrëmje.
Departamenti i Përgjithshëm Penal në Gjykatë refuzoi të mërkurën kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Princ Dobroshit dhe vëllait të tij, Artan Dobroshit.
Sipas një njoftimi për media, Gjykata ka caktuar masën alternative ‘Paraqitja në Stacionin Policor’ ndaj Prind dhe Artan Dobroshit, raporton Insajderi.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përleshja fizike për të cilin dyshohen të jenë përfshirë Princ dhe Artan Dobroshi, si dhe Valon Sadiku, ka ndodhur të shtunën e 7 dhjetorit në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë.
“[…] ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave, si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore dhe është hapur rasti ‘lëndim i lehtë trupor’, gjatë hetimit të rastit hetuesit e Stacionit Policor Pejë në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit kanë kryer bastisje në tri (3) lokacione”, ka njoftuar Policia të hënën.
Princ Dobroshi njihet për aktivitetin e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Në vitin 1993, ai ishte kapur në Norvegji dhe një vit më vonë ishte dënuar me 14 vjet burg për përfshirje në trafikun e drogës, përkatësisht heroinës.
Më 1997, Dobroshi ishte larguar nga burgu Ullersmo i Norvegjisë. Dy vjet më vonë, ai ishte arrestuar në Pragë të Republikës Çeke.
Në gusht të vitit 1999, Dobroshi ishte dorëzuar në Norvegji për të përfunduar vitet e dënimit.
Prej 1999-s kur ishte rikthyer në qeli, Dobroshi kishte qëndruar deri në vitin 2005 duke rrumbullakësuar nëntë vite burg përkundër dënimi prej 14 vite burgim. Dy vite kishte ikur nga burgu ndërsa tri vite tjera i ishin hequr nga autoritetet norvegjeze.
Ai ishte liruar me kusht dhe ishte dëbuar nga Norvegjia në janar të vitit 2005.
Autoritetet policore në Norvegji e në Republikën Çeke, vende këto ku Dobroshi kishte vepruar, e kishin vlerësuar si bosin e mafies shqiptare të drogës. Mediat në këto vende e kishin pagëzuar me nofkën “Peshkaqeni”. /Insajderi.com