Ish-kryeministri i vendit dhe kreu i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj nuk do lirohet sonte, raporton Reuters.
Sipas agjencisë së lajmeve, lideri opozitar pritet që të enjten në mëngjes të paraqitet para organeve të drejtësisë në Francë ku edhe do të shikohet nëse Haradinaj akuzohet për cështje të njëjta për të cilat është shpallur i pafajshëm në Tribunalin e Hagës.
“Burime tona raportojnë se Franca do të refuzojë kërkesën për ekstradim të Haradinajt, sidomos për faktin nëse është ndjekur për arsye politike”, shkruan Reuters.
Haradinaj ishte duke udhëtuar me pasaportë diplomatike kur ai u ndalua nga autoritetet franceze.
Në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar në Slloveni dhe ishte liruar vetëm dy ditë pas arrestimit, pas presionit të madh diplomatik.
Kosova dhe Franca gëzojnë marrëdhënie të mira diplomatike, shkruan Reuters, dhe se Parisi zyrtar mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të shtetit më të ri evropian./Insajderi.com