Albin Kurti shkel marrëveshjen me LDK-në

Albin Kurti shkel marrëveshjen me LDK-në

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka shkelur sonte një marrëveshje paraprake që kishte me Isa Mustafën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dy partitë ishin marrë vesh që të mos bëhet asgjë publike derisa të arrihet marrëveshja finale.

Por Kurti si lider partie për herë të parë zbuloi shumë nga takimet që kishte me Mustafën. Duket se u “tundua” nga deklaratat e më hershme të vartësve të tij.

“Në fillin e bisedimeve Mustafa ka thënë se duhet që ai të zgjedhë i pari. Unë i thash që të parët duhet të zgjedhim ne. Ai tha se duhet të zgjedhë i pari, i thash jo unë duhet të zgjedh i pari. Pyeta se a keni ndonjë ide se si të dalim nga kjo, tha jo nuk kam ndonjë ide. Nuk e di, tha unë duhet me zgjedh i pari”, tha sonte Kurti, shkruan Insajderi.

Më tej, ai ka treguar se i ka propozuar kreut të LDK-së që të veprojnë sipas lojës në tenis, ku i pari do të bënte vetëm një zgjedhje, pastaj i dyti do të bënte dy. Edhe pas kësaj, lideri i VV-së thotë se Mustafa donte të zgjedhtë i pari.

“Pa më dëgjuar deri në fund, tha unë po zgjedhi i pari”.

Kështu tha Kurti si për të vulosur deklaratat e mbrëmshme të Lumir Abdixhikut, deputetit tashmë të zgjedhur të LDK.

Ai tha mbrëmë se Vetëvendosje e ka shkelur marrëveshjen me LDK-në, diku iu referuar kështu zbulimit të bisedave që ishin bërë nëpër takimet Kurti-Mustafa. “Sekrete” këto të nxjerra fillimisht nga Glauk Konjufca.

“Kur takohen dy liderë, dhe vetëm ata dy në takim, nuk i takon të tretit të interpretojë detajet e takimit. Nëse vendosin ta bëjnë publike substancën e takimit, mund ta bëjnë. Edhe po të më takonte të interpretoja do të thosha dy marrëveshje që kemi, që asgjë s’është e marrë vesh derisa gjithçka të merret vesh dhe e dyta që është shkelur që substanca e diskutimeve të mos bëhet publike derisa të ketë marrëveshje finale”.

“Gjatë javës së kaluar ka pasur zyrtarë të VV-së që diskutimet nga tavolina e liderëve i kanë bartur në publik. Kjo është mes naivitetit dhe qëllimit jo të mirë për të arritur marrëveshje, sepse tjetër shpjegim s’mund të gjej, por kur e vendos diskutimin mes palëve me mirëbesim, në publik e dërgon te militantët”, tha mbrëmë Abdixhiku, shkruan Insajderi.

Njëri i dytë më i votuar në Vetëvendosje, Glauk Konjufca, javën e kaluar kishte treguar pse nuk ishte lidhur marrëveshja ndërmjet VV-së dhe LDK-së, por edhe shumë prapaskena tjera.

“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit”.

Tutje, ai tha se VV-ja nuk e priste këtë kushtëzim.

“Ne nuk e kemi pritur këtë gjë sepse, siç e dini ju, këto zgjedhje kanë qenë zgjedhje parlamentare dhe pas konstituimit del qeveria nga Kuvendi dhe pozita e presidentit është diçka krejt tjetër”.

“Pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur”.

Konjufca tha se edhe pse kanë dalë fitues të zgjedhjeve kanë bërë kompromise që të lidhin koalicion me LDK-në.

“Ne kemi bërë shumë kompromise që të qeverisim së bashku me LDK-në”, tha Konjufca, shkruan Insajderi.

“Faktikisht jemi të zhgënjyer me fazën e dytë të negociatave. Në pjesën e parë ishim shumë të kënaqur dhe kaluam shumë mirë. Kemi mbi 30 faqe të shkruara detajisht për programin qeverisës. Është një program shumë i detajuar se çka do të bëjmë”.

“Ne bëmë një kompromis dhe lejuam që Isa Mustafa të zgjedhë i pari ministrinë që dëshirojnë. Ata zgjodhën pikërisht MPB-në”.

Ai tha se VV-ja ka propozuar ndarjet ministrore në mënyrë të barabartë, por Presidenti të jetë i padiskutueshëm.

“Ky është kompromisi ynë. Ndarja e ministrive 5 me 5 dhe kryeministri për kryeparlamentarin. Presidenti i padiskutueshëm”.

Po ashtu, Konjufca ka thënë se dy anëtarë të VV-së do të jenë pjesë e Kryesisë së Kuvendit pasi që i takojnë sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ai ka thënë se gjatë negociatave për marrëveshjen e koalicionit, Vetëvendosja nuk ia ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës 7 ministri në këmbim të postit të presidentit.

“Nuk ia kemi kërkuar LDK-së 7 ministri në këmbim të postit të presidentit”.

Ndryshe, LDK-ja dhe VV-ja nuk arritën të lidhin një marrëveshje as mbrëmë. Kurti dhe Mustafa u pajtuan vetëm që t’i intensifikojnë takimet.

insajderi.com