Hykmete Bajrami thotë se as pas tetë vitesh nuk mund ta kthejnë normalitetin në Kosovë nga Qeveria e PAN-it

Hykmete Bajrami thotë se as pas tetë vitesh nuk mund ta kthejnë normalitetin në Kosovë nga Qeveria e PAN-it

Deputetja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës nga LDK, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, duke pohuar se në këtë situatë protestat dhe grevat vetëm s’mund të zgjidhin një situatë juridike, e cila ka kaluar në duart e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, duhet të kërkohet që Gjykata Kushtetuese sa më shpejtë të marrë vendim meritor për Ligjin e Pagave dhe të procedohet tutje bazuar në vendimin përfundimtar.

“Grevat nuk zgjidhin asnjë problem përballë një situate kur Gjykata Kushtetuese do të bëjë interpretimin nëse Ligji i Pagave ka shkelur të drejtat e njeriut dhe barazinë para ligjit. Gjithë ky kaos është i qëllimshëm dhe s’është faji i Gjykatës Kushtetuese por i Qeverisë në ikje, e cila i ka favorizuar vetëm disa kategori të punësuarish në sektorin publik”, ka shkruar ajo.

Bajrami, tutje ka thënë se me sindikata duhet të bisedohet dhe të sqarohet se çfarëdo proteste dhe grevat nuk zgjidhin problemin në raport me Gjykatën Kushtetuese.

“Qeveria dhe Parlamenti i ri duhet të bëhen gati për të sanuar dëmet që i ka shkaktuar PAN me keqqeverisjen dhe mungesën e kompetencës.  Ligji i Pagave dhe loja me kategori të caktuara të shoqërisë shpërfaq më së miri nevojën e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve tjera dhe dërgimin e PAN-it në opozitë për dy mandate. Tetë vjet s’do të mjaftojnë për të kthyer normalitetin nga Qeveria e PAN-it ku vendimet janë marrë sikur Shteti të ishte plaçkë”, ka përfunduar Hykmete Bajrami./ Insajderi.com