Deklaratat kundërthënëse Kurti-Konjufca për ndarjen e posteve me LDK-në

Deklaratat kundërthënëse Kurti-Konjufca për ndarjen e posteve me LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës as sonte nuk janë marrë vesh për ndarje të posteve.

Të dy partitë janë pajtuar të vazhdojnë takimet deri në arritjen e marrëveshjes finale.

Por Albin Kurti si lider i Vetëvendosjes për herë të parë zbuloi mbrëmë shumë nga takimet me Isa Mustafën.

“Në fillin e bisedimeve Mustafa ka thënë se duhet që ai të zgjedhë i pari. Unë i thash që të parët duhet të zgjedhim ne. Ai tha se duhet të zgjedhë i pari, i thash jo unë duhet të zgjedh i pari. Pyeta se a keni ndonjë ide se si të dalim nga kjo, tha jo nuk kam ndonjë ide. Nuk e di, tha unë duhet me zgjedh i pari”, tha sonte Kurti, shkruan Insajderi.

Më tej, ai ka treguar se i ka propozuar kreut të LDK-së që të veprojnë sipas lojës në tenis, ku i pari do të bënte vetëm një zgjedhje, pastaj i dyti do të bënte dy. Edhe pas kësaj, lideri i VV-së thotë se Mustafa donte të zgjedhtë i pari.

“Pa më dëgjuar deri në fund, tha unë po zgjedhi i pari”.

Por, krejt të kundërta prej deklaratave të Albin Kurtit kanë qenë ato të Glauk Konjufcës, njeriut  të dytë më të votuar në Vetëvendosje.

“Ne bëmë një kompromis dhe lejuam që Isa Mustafa të zgjedhë i pari ministrinë që dëshirojnë. Ata zgjodhën pikërisht MPB-në”, tha Konjufca javën e kaluar, shkruan Insajderi.

Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nesër do të takohen përsëri për harmonizimin e qëndrimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.