Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka komentuar dialogun me Serbinë pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur, ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës dhe arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj me fletëarrest të Serbisë, duke thënë se ndërprerja e dialogut me Serbinë nuk është vendim që i takon asaj.
Tahiri ka folur në televizionin publik duke thënë se për ndërprerjen ose jo të bisedimeve me Serbinë janë instancat më të larta ato që duhet ta marrin vendimin.
“Për këtë duhet ta kontaktoni Zyrën e Kryeministrit”, ka thënë Tahiri.
Megjithatë Tahiri ka dhënë versionin e saj. Ka thënë se para se të merret vendimi për ndërprerjen e dialogut me Serbinë duhet të shikohen edhe efektet anësore të këtij vendimi, sikurse marrëdhënie me BE-në dhe NATO-n.
“Kur të marrim vendim duhet të shohim se çka do të ndodhë me ne, sepse është një vendim i rëndësishëm”, ka thënë Tahiri.
Tutje ajo ka komentuar edhe respektimin e marrëveshjeve të tjera të arritura në Bruksel mes dy vendeve duke e akuzuar Serbinë për lojë politike e cila mund ta destabilizoj rajonin./Insajderi.com