Ndryshohet përshkrimi i aktakuzës ndaj Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt

Ndryshohet përshkrimi i aktakuzës ndaj Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt

Prokurorja Drita Hajdari ka bërë ndryshimin e përshkrimit në njërën pikë të aktakuzës ndaj Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt, të cilët akuzohen në rastin e njohur si “Pronto”.

Në këtë rast po akuzohen edhe akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritej të jepej fjala përfundimtare nga palët në procedurë, prokurorja Hajdari, ka deklaruar se ka bërë ndryshimin e përshkrimit të aktakuzës në rastin e Grabovcit dhe Beqajt.

“E bëj ndryshimin e dispozitivit nga pika 4 e aktakuzës kundër Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt. Ndryshohet komplet dispozitivi si në vijim: I pandehuri Adem Grabovci si deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i pandehuri Besim Beqaj si ministër në MZHE, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tyre zyrtar, ashtu që në kohen derisa ishte në fuqi konkursi i shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës i 31 tetorit 2011, për pozitat e drejtorëve në Bordet e Ndërmarrjeve Publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, si dhe konkursi për pozitën kryeshef ekzekutiv në ato dy ndërmarrje publike i 28 tetor 2011, të akuzuarit përmes bisedës telefonike të 9 dhjetorit 2011, kanë bashkëpunuar me anë të marrëveshjes për anulimin dhe rishpalljen e konkurseve për drejtorët e ndërmarrjeve publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, si dhe për anulimin e konkursit për pozitën e keryeshefit ekzekutiv në ato dy ndërmarrje publike”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Ajo ka thënë se me këtë rast, në aferën e përgjimeve, dëgjohet që Grabovci dhe Beqaj bisedojnë lidhur me këto konkurse.

“I pandehuri Beqaj i thotë të pandehurit Grabovi “a ti thom atyne dyve, ti rishpallim Trainkos dhe Infrakos, ndërsa i pandehuri Grabovci i përgjigjet “Sejdes i thashë po edhe atij tjetrit nëse don thuj”, Beqaj i thotë “dytë t’ia rishpallim edhe tanaj të shohim”, ndërsa i pandehuri Grabovci “Ok, OK, masi të shpallet ky tjetri”, Beqaj përgjgijet “tani i shpallim dytë, Grabovci “po dytë”, Beqaj “edhe i zgjedhim tani dhe bordet”, ka deklaruar prokurorja Hajdari.

Ajo ka thënë se në këtë mënyrë është tentuar që përmes anulimit të konkurseve dhe ri-shpalljen e tyre të krijojnë kushte për caktimin e personave sipas bindjes personale dhe politike, duke mohuar dhe kufizuar të drejtat e personave të tjerë që kanë konkurruar sipas konkurseve në fjalë.

Ajo ka deklaruar se njëjtë është vepruar edhe për çështjen e marrjes së vendimit për ushtrues detyre në Posten dhe Telekomin e Kosovës.

“Ndërsa të nesërmen më 13 dhjetor 2011, në ditën kur Bordi i Drejtorëve në PTK vendoste për pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në PTK, i akuzuari Besim Beqaj i thotë të akuzuarit Grabovci “thuaja lirisht, asnjë vendim, asnjë hap gjatë ushtrimit të detyrës, veç ka me ushtru detyrë”, për çka i akuzuari Grabovci dakordohet, duke thënë “Okej, okej”, me çka të akuzuarit tentuan që t’i mohojnë dhe kufizojnë të drejtat dhe kompetencat e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në PTK, me çka të pandehurit në formën e bashkëpunimit, bashkëkryerjes nga neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës kanë kryer veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve edhe banorëve të Republikës së Kosovës në tentativë”, ka thënë prokurorja Hajdari.

Sipas saj, pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pandryshuar.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.