Vizat – gënjeshtër e thënë ndër vite nga politikanët kosovarë

Vizat – gënjeshtër e thënë ndër vite nga politikanët kosovarë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, doli sot dhe tha se nuk ka viza për kosovarët së paku deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Vetë Haradinaj gjatë gjithë mujave të verës dhe deri sot ka thënë se “vizat mund të jenë dhuratë e krishtlindjes”, shkruan Insajderi.

Deklaratë kjo e thënë e rithënë nga ai pas një takimi që kishte pasur me zyrtarët gjermanëm, e të cilët ia kishin thënë se kjo gjë mund të jetë e mundshme.

Ngjashëm sikur Haradinaj kanë deklaruar ndër vite edhe shumë politikanë të tjerë.

Hashim Thaçi që në vitin 2010 kishte thënë se liberalizimi do të ndodhte brenda 15 muajsh.

“Unë jam i zotuar që t’i implementoj të gjitha kriteret demokratike, bile edhe për më pak se 15 muaj, që Kosova t’i kryejë obligimet e veta për liberalizimin e vizave. Kam besim të plotë dhe konfirmim edhe nga Brukseli se nuk do të vonohet më shumë se 15 muaj. Unë vazhdoj të kem linja direkte me autoritetet vendimmarrëse në Bruksel”.

Më pas edhe deklaratat e Dhurata Hoxha, ministres në detyrë të Integrimeve.

“Puna jonë gjithëpërfshirëse, përkushtimi dhe gatishmëria janë dëshmi se liberalizimi i vizave duhet dhe do të ndodhë sivjet”, pati thënë ajo në vitin 2018, shkruan Insajderi.

Çështja e liberalizimit të vizave ka qenë dhe vazhdon të mbetet pjesë e agjendave politike të liderëve të njëpasnjëshëm – agjenda këto që iu kushtojnë kosovarëve me bllokim të lëvizjes së lirë nëpër Europë./Insajderi.com