Ndryshe nga Kurti dhe Haxhiu, një deputet i Vetëvendosjes i jep sinjale pozitive LDK-së

Ndryshe nga Kurti dhe Haxhiu, një deputet i Vetëvendosjes i jep sinjale pozitive LDK-së

Ndonëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe njëra nga deputetet më të votuara të kësaj partie, Albulena Haxhiu, nuk i kanë cilësuar pozitive deklarimet e Isa Mustafës, një deputet i zgjedhur i LVV-së është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes së koalicionit.

Haki Abazi, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka cilësuar “zhvillim pozitiv” gatishmërinë e Isa Mustafës që të heqë dorë nga një ministri në mënyrë që LVV ta pranojë propozimin e LDK-së për pozitën e Presidentit.

“Sapo e dëgjova propozimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, është zhvillim pozitiv drejt arritjes së marrëveshjes së përbashkët qeverisëse. Mirëpo, sigurisht është një ndër hapat drejt marrëveshjes, siç kam thënë për me arrit një marrëveshje të qëndrueshme dhe duhet me i shqyrtu me kujdes, dhe ky është hap i rëndësishëm”, ka thënë Abazi për Telegrafin.

Ndërkaq, Albin Kurti, mandatari potencial për kryeministër, ka deklaruar se “Mustafa nuk ka thënë asgjë të re” në konferencën e mbajtur të mërkurën pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

E, Albulena Haxhiu është shprehur se konferenca e Isa Mustafës ka konfirmuar “betonimin e apetit të LDK-së për pozita”, duke iu përgjigjur negativisht ofertës së LDK-së. /Insajderi.com