Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), i cili konsiderohet si një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Prishtinë, ka thënë se termocentralet nuk mund të jenë shkaktarë të nivelit të ndotjes së ajrit.
Ndonëse me të hyrë në kryeqytet, pamja me të cilën përballësh me të nuk është shumë mbresëlënëse pasi që tymi që del nga Termocentrali A, është si një perde e zezë mbi qytet.
Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK, ka thënë për Gazetën Insajderi se ndotja e ambientit në Prishtinë shkaktohet më së shumti nga bizneset dhe shtëpitë private që djegin thëngjill.
“KEK-u operon pa ndërprerje dhe si rrjedhojë edhe shkarkimet nga Termocentralet janë konstante, pra termocentralet nuk mund të ndotin sot më shumë se dje apo para një jave. Ndërkohë që ndotja në Prishtinë dhe rrethinë, shënon rritje pikërishtë në sezonin dimëror kur fillon djegja e thëngjillit nga amvisërit dhe bizneset në mënyrë të pakontrolluar. Madje ndotja e ambientit po ndryshon edhe gjatë ditës, pra shënon ngritje në orët e pasditës kur qarkullimi I veturave është shumë më i lartë”, ka thënë Bucolli për Insajderin.
Bucolli thotë se në vitin 2014 janë eliminuar të gjithë shkaktarët që kanë krijuar ndotjen e ajrit.
“Ju bëjmë me dije se në vitin 2014 janë përmbyllur, apo janë eliminuar të gjithë shkaktarët kryesorë që kanë krijuar ndotje. Investimet vetëm nga të hyrat apo buxheti i KEK-ut, kanë arritur në mbi 60 milionë euro dhe ato janë fokusuar në vendosjen e elektro-filtrave të rinj në blloqet 3, 4 dhe 5 të termocentralit ‘Kosova A’ (si rezultat tashmë operojnë me standard të BE)”, ka thënë Bucolli. /Insajderi.com