Deputeti i VV-së tregon pse MPB nuk duhet të menaxhohet nga LDK

Deputeti i VV-së tregon pse MPB nuk duhet të menaxhohet nga LDK

Deputeti i zgjedhur i VV-së, Mefail Bajqinovci ka reaguar ndaj deklaratave të Skender Hysenit dhe Imri Ahmetit lidhur me ministrit e MPB dhe pozitën e presidentit.

Përmes një postimi të tij në Facebook, Bajqinovci ia ka shpalosur disa argumente Hysenit duke i treguar pse Ministria e Punëve të Brendshme nuk duhet të menaxhohet nga LDK.

“E drejtuat MPB-në duke i punësuar anëtarët e PDK-së dhe të LDK-së sipas pazarit. Se si e keni menaxhuar këtë dikaster ne e dimë sepse ju kemi përcjellë, si opozitë e si media. Ju z.Hyseni e dini se PDK-ja e ka menaxhuar Policinë, AME, Akademinë për Siguri Publike si dhe shumicën e departamenteve brenda MPB-së për të cilët ishte përgjegjës z.Hyseni”

“Ju z.Hyseni keni vendosur në krye të mekanizmave tepër të rëndësishëm, njerëzit e juaj si kryeshefin e IPK-së Hilmi Mehmeti, i cili për shkak të skandaleve të publikuara, është shkarkuar.
Në MPB është sekret publik se cili kryeshef, drejtor departamenti apo shef divizioni është punësuar dhe avancuar nga partitë politike. Këto janë disa nga argumentet pse Ministria e Punëve të Brendshme nuk duhet të menaxhohet nga LDK”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shtuar se nuk bëhet fjalë për mungesë fleksibiliteti nga VV por për mungesë serioziteti e vendosmërie nga LDK.

“Nuk bëhet fjalë për mungesë fleksibiliteti nga VV por për mungesë serioziteti e vendosmërie nga LDK. Një mungesë që ende nuk po arrijnë ta tejkalojnë, pak a shumë sikurse ajo e ish KM, Mustafa dhe ish ministrit të MPB-së, z.Hyseni kur nuk arrinin të emëronin Veli Karaxhen në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave- AME, i cili kishte fituar konkursin, për faktin se në atë pozitë qëndronte i preferuari i PDK-së si ushtrues detyre i AME-së. Nuk guxonte z.Hyseni t’a largonte edhe pse kishte fituar kandidati tjetër. Isa Mustafa u detyrua të mos e nënshkruaj vendimin për emërimin e njeriut më të poentuar për atë pozitë duke u detyruar t’a mbanin ushtrues detyre, z.Kodra i afërt me PDK-në duke e shkelur ligjin.
E në anën tjetër, Imri Ahmeti ende vazhdon të argumentojë se si MPB është dikasteri tipik për LDK’në. Një minimum i seriozitetit për koalicionin, do të ishte i mjaftueshëm që të mos kemi taktizime të tilla. Thuhet se kriteri më i lartë i së vërtetës, është praktika!”, ka shkruar Bajqinovci. /Insajderi.com