13 vjet proces gjyqësor, familja Zogjani kërkon drejtësi

13 vjet proces gjyqësor, familja Zogjani kërkon drejtësi

Qytetarët e Kosovës duhet të presin me vjet, ndonjëherë edhe me dekada për të realizuar një të drejtë të tyre. Ka raste kur një qytetari rasti i kthehet në rigjykim dy herë, e në raste të caktuara edhe më shumë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me 64 vjeçarin, Shefki Zogjanin. Ai tash e 13 vjet po përballet me një proces maratonik gjyqësor, për çka po lufton për të hequr nga supet barrën e akuzës për “shtytje në vrasje”, e së fundmi edhe për “ndihmë në vrasje”.

Tragjedia e familjes Zogjani kishte filluar në vitin 2004. Atë vit djali i vëllaut të Shefkiut, 20 vjeçari, Kastriot Zogjani, ishte vrarë me mashtrim nga Avni Osmani. Këtij të fundit, Kastrioti i kishte dhënë 2.500 euro për të hyrë në punë në Aeroportin e Prishtinës.

Djali i Shefkiut, Blendriti për KosovaPress, tregon se përveç që nuk e kishte punësuar, ai e kishte vrarë atë me 12 plumba, trupi i të cilit nuk ishte gjetur nga familjarët për shtatë javë.

30 vjet burg i ishin caktuar nga gjykata Avni Osmanit, por këtë dënim ai nuk e kishte vuajtur duke u arratisur në shtator të vitit 2017.

Kjo tragjedi nuk kishte përfunduar me kaq. Dy vjet pas, vëllau i Kastriotit, Korabi kishte marrë “gjak” për vëllaun e tij në familjen Osmani, në vitin 2006 dhe po i njëjti ishte arratisur nga Kosova.

Dy vjet pas kësaj, Shefki Zogjani ishte ftuar për të dhënë deklaratë në lidhje me këtë rast, për çka nga aty doli me duar në pranga, si i akuzuar për shtytje në vrasje. Për këtë thuhej se Korabi kishte përdorur veturën e Shefkiut për të shkuar në Sllatinë ku ishte kryer vrasja e Bekim Osmanit. E pikërisht në këtë bazohej edhe aktakuza për “shtytje në vrasje”.

Shefki Zogjani kishte qëndruar gjashtë vjet në paraburgim, ku gjatë kësaj kohe janë mbajtur tri procese gjyqësore. Një herë janë kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, e dy herë nga Gjykata e Apelit.

Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të cilët monitorojnë sistemin gjyqësor në Kosovë, thotë se tek rastet penale ka procese shumë të gjata ku shkelet parimi i gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

Për këtë rast akuzohet edhe djali i Shefkiut, Hasim Zogjani, i cili thuhet se kishte ndihmuar në kryerjen e kësaj vrasjeje. Kur ndodhi vrasja për hakmarrje e Bekim Osmanit në Fushë-Kosovë në vitin 2006, Hasim Zogjani ishte i mitur.

Në vendimin e fundit të marrë në korrik, Shefkiu është dënuar me tetë vjet burgim.

Gjykata Themelore e ka ndërruar kualifikimin e veprës penale nga “vrasje në shtytje”, në “ndihmë në vrasje”.

Alban Muriqi thotë për KosovaPress, se si qendër kanë kërkuar që ky rast të zgjidhet në mënyrë meritore, për faktin se Gjykata Themelore, sipas tij, nuk ka arritur të dëshmojë fajësinë e Shefki Zogianit. E për këtë, nga kjo e fundit KosovaPress, ka provuar të marrë një përgjigje, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Sipas Muriqit, sistemi gjyqësor ka dështuar të trajtojë këtë rast, marrë parasysh edhe aspektet e paraburgimit.

Ky rast sipas tij është përcjellë edhe me vonesa të shumta, për çka thotë se kanë drejtuar shumë shkresa Gjykatës Themelore për përshpejtim të rastit.

Muriqi mes tjerash thekson se kjo gjykatë nuk i merr parasysh vërejtjet apo rekomandimet e Gjykatës së Apelit, për çka sipas tij, është dështim i sistemit të drejtësisë.

E Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi, thotë për KosovaPress, se Kodi i Procedurës Penale, e ka lejuar që Gjykata e Apelit ta ketë të drejtën që një rast të caktuar ta kthej disa herë në rigjykim, në Gjykatën e Shkallës së Parë. Sipas tij, kjo është kthyer në praktikë që shumë raste të nisin nga fillimi.

E për këtë ai thekson se IKD ka kërkuar të ndryshohet Kodi i Procedurës Penale.

Sipas Miftaraj, kjo e zbeh besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Blendriti, i biri i Shefkiut shpreh shqetësimin se ky rast po i “montohet” babait të tij, derisa shpreson që një ditë të ketë drejtësi për të.

Në lidhje me këtë rast, nuk është marrë asnjë deklaratë nga dorasi, përveç se për të po dënohet i akuzuari për “ndihmë në vrasje”, Shefki Zogjani. Djali i tij, Blendriti thotë se për tërë këto vite zvarritje të procesit gjyqësor, do të kërkojnë llogari.