Sikurse librezat e nxënësve, deputetët postojnë në Facebook nënshkrimin e betimit

Sikurse librezat e nxënësve, deputetët postojnë në Facebook nënshkrimin e betimit

Sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, janë betuar 111 deputetë të partive politike në vend.

E duket se vetëm betimi në Kuvend, atyre nuk u ka mjaftuar. Menjëherë pasi e përfunduan këtë procedurë, ata duket se i kapën telefonat, për t’i publikuar nënshkrimet e betimeve e tyre në rrjetin social Facebook, njësoj sikurse prindërit që i publikojnë librezat e nxënësve, shkruan Gazeta Insajderi.

Krejt njëjtë ishin edhe premtimet e tyre përmes këtyre postimeve.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Saranda Musliu, përveç nënshkrimin e betimit, ajo shkroi se këtë e ka bërë për Kosovën.

“Betimi im për ty Kosovë”, ka shkruar Musliu.

E për deputetin e VV-së, Haki Abazin, publikimi i nënshkrimit të betimit, është edhe një epokë e re që ka filluar sot në Kosovë.

“Republika po ju kthehet qytetarëve dhe shteti dhe institucionet do të janë në shërbim të interesave të tyre”, ka shkruar ai.

Ndërsa Mefail Bajqinovci ishte më i gjatë në shkrimin mbi fotografinë e nënshkrimit të betimit.

“Të dashur miq”, fillon shkrimi i tij, duke vazhduar të u falënderohet të gjithë atyre që e votuan.

Ai tha se me votën e tyre e kanë nderuar.

“Jemi të vendosur, pa mëdyshje, që politikës të ja ndërrojmë karakterin që e kishte deri më sot. Prandaj ka rezistencë ndaj këtij ndryshimi, por vendosmëria për ndryshim të madh, tashmë ka vulën e popullit prapa dhe nuk do të ketë forca të errëta që do të mund ta sfidojnë”, përfundon Bajqinovci, duke u lutur që t’u prijë e mbara.

Ndërsa Albena Reshitaj nga AAK, ishte e shkurtër njëjtë sikurse kolegia e saj Musliu, nga LDK.

“Na priftë e mbara!”, ka shkruar Reshitaj në fotografinë me nënshkrimin e betimit, si deputete e Kuvendit të Kosovës./ Insajderi.com