Deputetët e Fatmir Limajt tregojnë se a do ta votojnë Albin Kurtin për kryeministër

Deputetët e Fatmir Limajt tregojnë se a do ta votojnë Albin Kurtin për kryeministër

Haxhi Shala, deputeti i Nismës Socialdemokrate, thekson që ende nuk ka një vendim nga subjekti politik të cilit i takon ai, se a do ta votojë ose jo Qeverinë e re.

Megjithatë, sipas tij, qëndrimi i Nismës Socialdemokrate ndaj Qeverisë së re do të varet nga qëndrimi që vet qeveria e ardhshme do të ketë në raport me çështjet që janë me interes kombëtar dhe shtetëror.

Sipas tij, në rast se Qeveria e ardhshme ka interes që të zgjidhë disa probleme kombëtare, atëherë do ta ketë mbështetjen e Nismës.

“Interes kombëtar është buxheti. Në qoftë se buxheti shkon në përputhje me programin tonë, atëherë ne duhet ta mbështesim buxhetin. Interes kombëtar është edhe tema e bisedimeve (me Serbinë). në qoftë se Kurti apo kushdo qoftë që do të jetë kryeministër i ardhshëm e ka në agjendën e qeverisë zgjidhjen e këtij problemi me Serbinë, atëherë, besoj që edhe partitë opozitare do ta mbështesin”, tha ai për REL.

“Gjatë punës së Qeverisë do të ketë çdo ditë tema kombëtare për vendin dhe qytetarët. Në atë moment që shihet se nuk po punon mirë ose nuk po ecën në bazë të interesave të vendit, atëherë do të ballafaqohet me kritika shumë më të ashpra se sa që i mendojnë ata”.