Vizioni im për Kosovën: shtëpi e evropianëve të rinj

Vizioni im për Kosovën: shtëpi e evropianëve të rinj

Shkruan; Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së

Ky është viti im i katërt në Kosovë; një moment i mirë për t’i analizuar arritjet tona të përbashkëta dhe sfidat që mbesin.

Para se të vija në Prishtinë, dëgjova që Kosova është shtëpia e “evropianëve të rinj”. Nuk isha e sigurt çfarë nënkuptonte kjo në atë kohë përveç referencës për demografinë e Kosovës. Por tani mund të them me bindje të plotë që rinia e Kosovës është mbresëlënëse në numër dhe cilësi. Kam marrë pjesë në shumë debate në shkolla e universitete, ku u përballa me të rinj të angazhuar e me mendim kritik, të cilët në të njëjtën kohë janë pro-evropianë të fortë. Ata janë pasuria më e madhe e Kosovës. Atyre duhet t’u ofrohet mbështetje dhe mundësi për të përparuar dhe për ta udhëhequr Kosovën.

Që kjo të ndodhë, Kosovës i duhet një sistem bashkëkohor i arsimit; që është i pajisur siç duhet për t’i trajtuar sfidat bashkëkohore. Për fat të keq, rezultati PISA-s tregon që ende nuk jemi atje. Nevojiten më shumë përpjekje për ta ndryshuar këtë trend, që është arsyeja pse ne, si BE, e kemi vendosur arsimin si përparësi kryesore në ndihmën tonë për Kosovën. Shpresojmë që vendosmëria jonë për të ndikuar në ndryshim do të përputhet me politikëbërësit e Kosovës, qoftë në qeveri apo në opozitë.

Të rinjtë gjithashtu duhet të jenë në gjendje të kenë qasje në treg në baza konkurruese. Që kjo të ndodhë, Kosova duhet të bëjë më shumë në vendosjen e politikave të nevojshme ekonomike, garancive për sundim të së drejtës dhe standardeve të nevojshme për tërheqjen e investimeve. Kosova duhet të përqendrohet në përparësitë e veta konkurruese dhe t’i mbështesë sektorët që do ta zëvendësojnë importin me eksport dhe krijimin e vendeve të punës.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), të cilën Kosova e ka nënshkruar me BE-në, mund të ndihmojë shumë që kjo të ndodhë. Megjithatë, ajo duhet të zbatohet. Ne e kemi ofruar Agjendën për Reforma Evropiane (ERA) si mjet për ndryshim: Shpresoj që mund ta fillojmë fazën tjetër të ERA-s shpejt me Qeverinë dhe Komisionerin për Zgjerim të BE-së.

Së fundi, taksa 100% gjithashtu duhet të hiqet. Ajo sjell paqëndrueshmëri dhe dekurajim për investime dhe rritje ekonomike.

Por e gjithë kjo nuk do të mjaftojë derisa Kosova të fillojë ta luftojë korrupsionin seriozisht. Të rinjtë duhet të shohin e të besojnë që përparimi i tyre është rezultat i punës së tyre të zellshme dhe meritave të tyre, e jo i lidhjeve të  dyshimta politike apo lidhjeve familjare. BE-ja i ka ndihmuar përpjekjet e Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Në ekonomi, zhvillim shoqëror dhe arsim, sundimi i së drejtës është vendimtar. Kjo do të thotë të kesh ligje përkatëse, por, edhe më me rëndësi, ato duhet të zbatohen, e jo vazhdimisht të kërkohen arsyetime për të mos i zbatuar ato. Qeveria do të ketë rol vendimtar në këtë çështje. Dhe njerëzit do të duhet t’i mbajnë ata përgjegjës: mos i lini të kalojnë lehtë me performancë të dobët në këtë fushë. Ata duhet të jenë të vendosur në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një administratë publike efikase e transparente duhet të promovohet. BE-ja i ka mbështetur përpjekjet e Kosovës në këtë fushë.

BE-ja i ka investuar mbi 2,5 miliardë euro në çdo segment të shoqërisë. BE-ja është investitori, donatori dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës. Kemi krijuar mijëra vende pune, kemi mbështetur qindra kompani dhe kemi ndërtuar shumë shkolla. Në sajë të fondeve të BE-së, Prishtina tani ka ujë 24 orë në ditë, dhe dhjetëra mijëra njerëz kanë ngrohje qendrore të klasës së parë.

BE-ja i ofron mbështetje të fortë Kosovës për mbrojtjen e mjedisit. Kërkoj nga çdo person në Kosovë që të na ndihmojë në këtë përpjekje. Kemi nevojë për një Kosovë më të pastër; lumenj, ajër dhe tokë më të pastër për ta përmirësuar shëndetin e qytetarëve të Kosovës dhe për ta ruajtur natyrën për brezat e ardhshëm.

BE-ja po investon deri në 76 milionë euro për ta ulur ndotjen dhe rrezikun shëndetësor nga termocentrali Kosova B. Komisioni Evropian sapo ka filluar “Marrëveshjen e gjelbër” për të arritur zero emetime të karbonit dhe neutralitet të klimës deri në vitin 2050. Kosova është Evropë dhe duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët. Si në arsim, edhe këtu shpresojmë dhe presim që vendosmëria jonë të përputhet me atë të politikëbërësve të Kosovës.

Dhe, kur flasim për politikëbërësit e Kosovës, më 6 tetor, qytetarët e Kosovës e ushtruan të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe zgjodhën udhëheqësit e vet. Zgjedhjet u mbajtën në mënyrë të qetë e të rregullt. Mirëpo procesi i zgjatur pas zgjedhjeve nxori në shesh se mbeten sfida të mëdha. Ato mund të tejkalohen nëse të gjitha forcat politike pajtohen lidhur me nevojën e një reforme të plotë zgjedhore. Besoj që kjo duhet të trajtohet si çështje urgjente.

Vazhdimi i Dialogut me Serbinë është në interes të Kosovës. Sa më shpejt që të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, aq më shpejt Kosova do të jetë në gjendje të ecë përpara në të gjitha drejtimet.

Së fundi, më lejoni ta përmend liberalizimin e vizave. Kjo çështje ngrihet në çdo mbledhje dhe takim që kam me njerëz të të gjitha moshave dhe plotësisht e kuptoj frustrimin dhe padurimin e tyre. Ne dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thënë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kanë rekomanduar që vizat për Kosovën të hiqen. Një vendim përfundimtar tani duhet të merret nga shtetet anëtare të BE-së. Shpresoj që autoritetet do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për t’i bindur shpejt vendet anëtare të BE-së që mundësimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Shengen për qytetarët e Kosovës është fitore për të dyja palët.

Pavarësisht kësaj, nuk zhvillohet çdo gjë rreth politikës, zgjedhjeve apo liberalizimit të vizave. Shërbime më të mira sociale, më shumë barazi gjinore, më pak dhunë në familje, shoqëri më e fortë civile, media më të pavarura, investime në kulturë dhe më shumë mbështetje dhe mirëkuptim për komunitete të ndryshme dhe grupe të nënprivilegjuara nevojiten në Kosovë për vitin 2020 e tutje.

Rrugët e BE-së dhe të Kosovës gjithmonë do të bashkohen. Mirëpo, në mënyrë që Kosova të ketë sukses në planin afatgjatë, forca shtytëse duhet të vijë nga brenda. Asnjë udhëheqës nuk duhet të jetë i kënaqur me dëshirën për largim të më të mirëëve dhe më të mençurve.  Në vend të kësaj, ata duhet të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për t’i bërë që ata të duan të qëndrojnë në Kosovë. Nuk pres asgjë më pak nga Qeveria.

Gëzuar festat dhe të gjitha komuniteteve në Kosovë u uroj një vit të ri të qetë e të begatë!