Thaçi ia bëri ftesën e tretë, Kurti nuk “bëhet” i gjallë

Thaçi ia bëri ftesën e tretë, Kurti nuk “bëhet” i gjallë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot për herë të tretë, e ka ftuar në takim kandidatin për kryeminstër, Albin Kurtin.

Sipas letrës, Thaçi, i ka propozuar Kurtit që të takohen nesër në orën 10:00 të ditës, shkruan Gazeta Insajderi.

“Andaj me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Për ftesën e tretë, as Albin Kurti dhe asnjë nga partia e tij nuk është deklaruar. Insajderi gjatë tërë ditës ka tentuar të marrë një prononcim se a do e pranojë ftesën, mirëpo zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë të paqasshëm.

Ndryshe, dje Kurti tha se presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.

“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Caktimi i mandatarit për formimin e qeverisë ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në dinamikën e formimit të institucioneve, përkatësisht qeverisë, pasi që nga momenti i caktimit të tij, do të nisë rrjedhja e afatit ligjor prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re.

Pas ftesës së bërë, as Presidenti Thaçi nuk është deklaruar më./Insajderi.com/