Prokuroria shqyrton mundësinë e ankesës ndaj vendimit për Enver Hasanin

Prokuroria shqyrton mundësinë e ankesës ndaj vendimit për Enver Hasanin

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, mund të përballet sërish me drejtësinë lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim të dokumentit zyrtar. Kjo pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka përjashtuar mundësinë që të ankohet ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, që para disa ditëve ka vendosur të pushojë procedurën penale ndaj tij.

Liridona Kozmaqi-Hajdaraj, zëdhënëse e Prokurorisë, i ka thënë Insajderit se prokuroria ka pranuar aktvendimin rreth Hasanit, dhe se është duke vlerësuar hapat e mëtutjeshëm, duke lënë të hapur mundësinë e ankesës.

Hasani akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kishte shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme pozitën zyrtare kur kishte vendosur për të nxjerrë një aktvendim për papranueshmëri lidhur me një kërkesë të ish-presidentes Atifete Jahjaga, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Kushtetuese.

Ai dyshohej se kishte shënuar të dhëna të rreme në një aktvendim për papranueshmërinë e asaj lëndë, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese. Por, Carolan nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.

Gjykata e Apelit vendosi të hedh poshtë aktakuzen duke konkluduar se veprimet e Hasanit nuk përbejnë kryerje të veprës penale.

Përgjatë këtij procesi, përveç akuzave për kryerje të veprave penale, një nga pikat shumë të diskutuara gjatë ka qene imuniteti funksional, që sipas palës mbrojtëse i ka takuar Hasanit si kryetar i gjykatës.

Prokuroria Speciale, që kishte ngritur aktakuzën ndaj Hasanit në fillim të vitit 2016, i kishte propozuar Gjykatës së Apelit ta anulojë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe të konstatojë se në rastin konkret i pandehuri Enver Hasani nuk gëzon imunitet funksional.

Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale, veprimet për të cilat akuzohet Hasani nuk i ka ndërmarrë brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional.

Për më tepër, imuniteti funksional i zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese, institucion ky që është drejtuar nga vetë Hasani.

Me aktgjykimin KO98/11 të datës 20 shtator 2011, është theksuar se imuniteti funksional ka të bëjë me ushtrimin e autorizimeve ligjore e jo edhe me keqpërdorimin e këtyre autorizimeve apo shkeljen e ligjit, siç është rasti konkret për të cilin është ngritur aktakuza ndaj të Hasanit./Insajderi.com