Te jesh mjek i përgjithshëm në Kosovë nënkupton të mos kesh mundësi ta ushtrosh profesionin e mjekut

Te jesh mjek i përgjithshëm në Kosovë nënkupton të mos kesh mundësi ta ushtrosh profesionin e mjekut

Shkruan: Dr.Arben Muji

Mjeku i përgjithshëm në Republikën e Kosovës. Të jesh mjek i përgjithshëm (doktor i mjekësisë) në Republikën e Kosovës, nënkupton të jesh mjek, por të mos kesh mundësi ta ushtrosh profesionin e mjekut?!!! Në një kohë kur vendi rrezikohet, që në një të ardhme të afërt të mbetet edhe pa mjek, mjekëve të përgjithshëm iu pamundësohet të punojnë në Republikën e Kosovës, përkundër që janë të licensuar si mjek.

Çdo ditë dëgjojmë, që vendi rrezikohet të mbetet pa mjekë për shkak të ikjes së mjekëve të rinjë (kryesisht mjekë të përgjithshëm).

Ministria e Shëndetësisë, konkursin e fundit për specializime e ka hapur në korrik 2016, tani jemi në 2020!

Ligji mbi shëndetësinë përcakton që mjekët e përgjithshëm, mund të punojnë vetëm në kuadër të shërbimit primar, vende pune këto të cilat në 95% të rasteve mbulohen nga specialistët e mjekësisë familjare (dmth nuk ka as aty vende pune për mjekët e përgjithshëm), kurse në mënyrë indirekte me këtë përcaktim (që mjekët e përgjithshëm të punojnë vetëm në shërbim primar), u pamundësohet që të angazhohen në sistemin sekondar apo terciar shëndetësor.

Përfundim: Për doktorët e mjekësisë (mjek të përgjithshëm), të licensuar nga MSh-së: 1. Nuk ka konkurs për specializime mbi 3 vite! 2. Nuk ka vende pune në shërbimin primar shëndetësor! 3.Nuk u lejohet të punojnë në institucione sekondare dhe terciare shëndetësore (spitale regjionale dhe klinika të QKUK-së)! 4. Kërkohet që të jenë antarë të OMK-së (përkundër që janë të papunë duhet paguajnë për antarësim) 5. Kongreset mjekësore, trajnimet e ndryshme për edukim të vazhdueshëm mjekësor, të gjitha me pagesë! Në bazë të këtyre të dhënave të cekura më lart, më vjen rëndë ta them, mirëpo vendi ynë i dashur, e ka mbytur shpresën e mjekëve të rinjë, nuk ju ofron asnjë perspektivë për çfarë detyrohen ta lënë vendin dhe të largohen në drejtim të vendeve të BE-së, ku ofrohen të gjitha mundësitë për zhvillim profesional dhe mirëqenie të cilen e meritojnë! Me rrespekt nga: Mjeku i Përgjithshëm (Doktor i Mjekësisë)