
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të mbledh sot Kryesinë e partisë për të diskutuar lidhur me nominimin e kandidatit për kryeministër të ardhshëm.
Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë takim do të shqyrtojë mundësinë e propozimit të mandatarit për formimin e qeverisë – siç paralajmëroi Albin Kurti një ditë më parë.
Të hënën, pas takimit konsultativ me presidentin Hashim Thaçi, Kurti u shpreh se është pajtuar që t’ia dërgojë presidentit emrin e kandidatit përmes një shkrese zyrtare gjatë ditëve të ardhshme, por nuk tregoi saktësisht se në cilën ditë do ta bëjë këtë.
Ndërkaq, presidenti Thaçi dje ka njoftuar përmes një shkrimi në Facebook për kohën që i ka dhënë në dispozicion Kurtit para mandatimit për kryeministër.
“Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.”
Presidenti Thaçi, po ashtu tha se Kurti nuk ishte i gatshëm që sot të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje.