Zyrtarit të Lëvizjës Vetëvendosje, Arbër Zaimit, nuk po i pëlqejnë shkrimet në medie për gjashtë të propozuarit e liderit Albin Kurti për kabinetin qeveritar.
“Ka një tendencë nga media për të bërë zhurmë përçarëse: pse ky ministër e jo ai. Kjo logjikë niset me premisën se posti i ministrit është shpërblim, pra niset nga premisa e adhurimit të pushtetit e pozitës”.
“E Vetëvendosja po dëshiron të sjellë ndryshim. Ministri duhet parë si shërbëtor i një programi politik të votuar nga qytetarët. Atij i jepen prej kryeministrit detyra e afate, për punë, nëse i bën merr mirënjohje, nëse jo, ndërrohet. Aq sa e njoh Albinin, di të them se është njeri që kërkon punë dhe përgjegjësi, e aq sa i njoh ministrat e përzgjedhur prej tij, mendoj se do të jenë në gjendje t’i kryejnë me përgjegjësi punët, por jo pa dhënë maksimumin e tyre”, ka shkruar Zaimi në Facebook
Zaimi thotë se posti i ministrit nuk është shpërblim dhe me Qeverinë Kurti, duhet t’u vijë keq për ata që bëhen ministra, sepse, sipas zyrtarit të VV’së, ‘Albin kërkon shumë punë’.
“Pra, logjika e vjetër është: lum filani për veten që u bë ministër. Logjika me Albinin do jetë: mjerë filani që u bë ministër, se tash s’ka më kohë as për veten”.
Ai ka thënë se përzgjedhja e gjashtë emrave për të udhëhequr ministritë nuk nënkupton që ata janë më të mirë se të tjerët në VV.
“E sa i përket krahasimeve, përzgjedhja e dikujt për një pozitë – nuk do të thotë se dikush tjetër vlen më pak. Nëse kjo është shah, Albini është lojtar i lojës së gjatë. Secilit element do t’i kërkohet maksimumi që mund të japë, në vendin ku mund ta japë, në funksion sërish jo të vetes, por të programit politik dhe ndryshimit shoqëror”./Insajderi.com