Dëshmia: Kryeprokurori i EULEX-it e mbrojti Sami Lushtakun pas arratisjes nga paraburgimi

Jonathan Ratel, një prokuror kanadez që erdhi në Kosovë me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), dyshohet se kishte negociuar me avokatët mbrojtës dhe familjarët e Sami Lushtakut për ta kthyer atë në burgun e Dubravës – ku po mbahej në paraburgim shkaku i akuzave që rëndonin ndaj tij për rastin "Drenica"

Dëshmia: Kryeprokurori i EULEX-it e mbrojti Sami Lushtakun pas arratisjes nga paraburgimi

Jonathan Ratel, ish-Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, kishte marrë përsipër aksionin për kthimin në paraburgim të Sami Lushtakut më 20 maj të vitit 2014, pasi anëtari i PDK-së ishte arratisur nga paraburgimi përmes Qendrës Klinike Universitare (QKUK).

Ratel, një prokuror kanadez që erdhi në Kosovë me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), dyshohet se kishte negociuar me avokatët mbrojtës dhe familjarët e Sami Lushtakut për ta kthyer atë në burgun e Dubravës – ku po mbahej në paraburgim shkaku i akuzave që rëndonin ndaj tij për rastin “Drenica”.

Kështu dyshonte Romulo Mateus, prokurori që më pas do të ngrite aktakuzë ndaj Lushtakut dhe disa të tjerëve për arratisjen e ish-eprorit të UÇK-së nga QKUK-ja, ku ishte dërguar nga burgu i Dubravës me vendim të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Mateus e kishte marrë në pyetje Ratelin për këtë rast në muajin shkurt të vitit 2016.

Sipas dëshmisë së Jonathan Ratel, të cilën e ka siguruar dhe publikuar Insajderi të mërkurën, Rashit Qalaj kërkonte urdhër nga Prokuroria Speciale që të arrestonte me dhunë Lushtakun në repartin e Kardiologjisë së QKUK-së.

Por, Ratel i kuishte dhënë përgjigje negative kërkesës së Qalajt për t’u futur me forcë në ambientet e repartit të Kardiologjisë në QKUK.

“Por, unë u thashë jo”, shprehej ish-Kryeprokurori i PRSK-së. “Ata kërkonin nga kjo Zyrë një urdhër verbal për t’u futur me forcë. Ajo që ishte e qartë se unë nuk do jepja kurrfarë urdhri verbal që do të lejonte Policinë të futej me forcë në repartin kardiologjik të QKUK-së”.

I pyetur nëse atë ditë ka zhvilluar një telefonatë me Rashit Qalajn, Ratel deklaronte se “kjo ishte e mundur”.

“Ka pasur informacione kundërthënëse – kjo ka qenë një pjesë e informatës por ka pasur informacione se Policia e Kosovës ka pasur një pikë shikimi jashtë spitalit prej së cilës kishte arritur të shikonte brenda dhomës dhe ajo informatë ishte se ata nuk po i shihnin ata brenda në dhomë por nuk kishte asnjë informacion se prej ku dhe kur ishte bërë vëzhgimi”, shprehej Ratel.

Ish-Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, në këtë dëshmi të tij, mohoi të ketë ndërmjetësuar për dorëzimin në Polici të Lushtakut.

Qalaj dëshmoi të mërkurën në gjykimin ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve lidhur me këtë rast.

Drejtori i Policisë deklaroi se zëvendësdrejtori rajonal i Prishtinës, Afrim Ahmeti kishte kërkuar nga komandanti i stacionit policor jugu, Binak Berisha që t’i dërgojë policët për të verifikuar se a ishte informacion i saktë arratisja e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK.

Ai tha se pasi kishin shkuar në dhomën komanduese, prokurori i EULEX-it Jonathan Ratell, e kishte kontaktuar përmes telefonit dhe i kishte kërkuar që prej atij momenti të veprojnë sipas udhëzimeve të tij, duke kërkuar që të kontaktohen të arratisurit dhe të njoftohen se së bashku me avokatët e tyre mund të shkojë në prokurori.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”. Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Ndërkaq, Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, si dhe Dardan Geci e Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Gjykimi ndaj tyre ka filluar në vitin 2017, raporton Insajderi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Insajderi.com

Ekskluzive: Rashit Qalaj kërkonte urdhër që ta arrestonte me forcë Sami Lushtakun në QKUK