Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i përgjigjet Vetëvendosjes për ofertën e fundit, përmes së cilës i propozonte rritjen e numrit të ministrive.
Burime të insajderit kanë thënë se LDK-ja do ta refuzojë ofertën e VV-së.
Sipas këtyre burimeve LDK-ja do të kërkojë që kryeparlamentari t’i takojë LDK-së derisa të zgjidhet presidenti. Nëse zgjidhet presidenti, kryeparlamentari t’i kthehet VV-së, ndërsa nëse dështon kryeparlamentari t’i mbetet LDK-së.
LDK pritet të kërkojë vetëm 5 ministri e jo më shumë. Ndërkohë që para pak minutave ka nisur mbledhja e LDK-së.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvetndosje, të hënën i ka dërguar një ofertë LDK-së. Në këtë ofertë, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë gjashtë ministri, Lëvizja Veteëvendosje pesë, derisa minoritetet tri ministri.
Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.
“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri i 2-të, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në propozim.
Lëvizja Vetëvendosje, në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LVV.
Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.
“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu i cili ka thënë se në këtë ofertë nuk ka diçka të re dhe serioze që do të mund ta zgjidhte situatën drejt një marrëveshje përfundimtare.