
Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Sylë Hoxha, ka deklaruar se organizata “Syri i Popullit”, ka pasur një plan operativ me njerëz të caktuar në grup, ku në vitin 2015, kishin bërë plane për të vepruar në vrasjen e personaliteteve të larta shtetërore, për shkak se sipas tyre kishin qenë tradhtar të kombit.
Në këtë rast, për vepra kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së enjtes, ku janë dhënë fjalët përfundimtare, Hoxha tha se i akuzuari Murat Jashari i cili pretendohet se kishte kryer atentat ndaj avokatit Azem Vllasi, kishte qenë i manipuluar nga të akuzuarit e tjerë.
“Ata që e kanë njohur Murat Jasharin kanë thënë se i njëjti ka qenë i manipuluar dhe disa dëshmitarë kanë thënë se ai ka qenë i manipuluar nga i akuzuari Sadri Ramabaja, i cili ka qenë edhe recensentë i librit të Murat Jasharit, me titullin “Luftë e Pambaruar”, mirëpo ka përdorur nofkën Besnik Berisha”, tha Hoxha.
Ai shtoi që ka elemente që sipas tij, çojnë në mendimin se të akuzuarit kanë shtyrë dhe manipuluar Jasharin, duke e parë gjendjen e tij psikike.
Në këto rrethana, Hoxha ka deklaruar se kërkon nga gjykata që të akuzuarit Jashari, t’i shqiptojë masë të detyrueshme të trajtimit në psikiatri.
Ndërsa, për të akuzuarit e tjerë, Hoxha tha se kërkon nga gjykata që për veprat për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen, duke pasur parasysh edhe rrethanat rënduese dhe peshën e veprave që ata kanë kryer.
Pas prokurorit, pala e dëmtuar Azem Vllasi, tha se fjalën përfundimtare e ka paraqitur me shkrim dhe të njëjtën ia ka dorëzuar gjykatës.
Krahas prokurorit që ka kërkuar dënim, të gjithë të akuzuarit me avokatët e tyre, kanë kërkuar vetëm aktgjykim lirues, duke thënë se me asnjë provë nuk ishte vërtetuar se kanë kryer veprat me të cilat ata ngarkohen.
Akuza ndaj trupit gjykues për mënyrë se si kanë zhvilluar këtë proces gjyqësor ka hedhur në fjalën përfundimtare, avokati Ramiz Krasniqi, i cili mbron të akuzuarin Sadri Ramabaja.
Avokati Krasniqi, gjatë fjalës së tij përfundimtare ka deklaruar se ky proces gjyqësor është i montuar dhe ka motive të pastra politike.
“Ky proces gjyqësor do të mbahet mend, si proces i pastër me motive politike. Ky proces do të mbahet mend për dëshmimin e krerëve të pushtetit, që erdhën për të dëshmuar jo siç thonë dispozitat ligjore, por për të thënë se shteti jam unë. Shpërfillja e ligjeve është bërë në këtë proces gjyqësor, duke tregu se ka njerëz mbi ligjin, kush janë ujshorët se thonë që “Syri i Popullit” është krahu i armatosur i VV-së. Ky gjyq nuk mund të jetë i pavarur sepse është fjala për një proces të manipuluar, kur analizohet sajimi i provave e mënyra e dëgjimit të dëshmitarëve që nuk është bërë sipas ligjit”, tha Krasniqi.
Sipas tij, gjykata ka bërë shkelje të vazhdueshme në trajtim të këtij rasti, e si shembull mori rastin ku sipas tij, kur seanca ishte mbajtur në Prizren, gjykata pa praninë e njërit të akuzuar kishte zhvilluar procesin.
“Seanca është mbajtur pa njërin të akuzuar në Prizren, e gjykata e ka liru të akuzuarin pasi që Bajrush Konjusha ka thënë se është sëmurë ktu ka bo shkelje thelbësore” tha tutje Krasniqi.
Krasniqi më pas përmendi edhe rastet ku sipas tij gjykata pa asnjë arsye kishte mbyllur gjykimin për publikun.
Ai tutje shtoi që gjykata kishte shkelur të drejtat e të akuzuarve kur dëshmitari Hashim Thaçi kishte bërë pyetje në kundërshtim me çdo normë ligjore, e prapë gjykata nuk i kishte ndaluar parashtrimin në mënyrë të tillë.
“Arsyet pse është akuzuar Sadri Ramabaj, i gjeni në përgjigjet e dëshmitarëve Hashim Thaqi, Kadri Veseli, që nuk thanë asgjë, por kishin ardh në gjykatë për të treguar se nuk e njohin as ligjin, as gjykatën, me bindjen se do të zhdukin lëvizjen të cilës i përket Ramabaja”, tha Krasniqi.
Kurse, vet i akuzuari Sadri Ramabaja, ka kërkuar që të lirohet nga akuza, padi thotë se ai është i pafajshëm.
“Teksti i kësaj aktakuze, nuk më len hapësire për të ushqyer iluzione për fuqinë e mundshme të drejtësisë, me të drejtën gjatë dhe në përmbyllje të këtij procesi tragjiko-komik. Gjykata do duhej të deshifronte qartë këtë aktakuzë, me të drejtën reale, sepse perceptimi shumë herë është më i rëndësishëm se realiteti. Në asnjë rast e asnjë rrethanë, nuk kam marr pjesë në takime të Syrit të Popullit, e as në takimin e 15 majit. Nuk kam qenë as i ftuar, e as në dijeni”, ka deklaruar ndër të tjerash Ramabaja.
Ndërkaq, avokati i të akuzuarit Avni Llumnica, Ahmet Ahmeti ka thënë se aktakuza ndaj klientit të tij është e paqartë dhe e bazuar vetëm në spekulime.
“I mbrojturi im akuzohet për hakmarrje, dhunim dhe me veprën penale përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues, por mendoj që aktakuza është e paqartë, e paartikulueshme dhe nuk mund të qëndrojë. Unë konsideroj se akuza përkitazi me të mbrojturin tim nuk ka skelet. Në këtë çështje penale, janë dëgjuar një numër i madh i dëshmitarëve, por nga të gjitha këto në asnjë mënyrë nuk përfshihet asnjë veprim penal i klientit tim”, tha Ahmeti.
Ai tha se Llumnicës i është montuar rasti për dhunim në qendrën e burgut në Lipjan, se një gjë e tillë nuk qëndron, ndërsa për organizatën “Syri i Popullit”, sipas Ahmetit, klienti i tij kishte dëgjuar vetëm në media.
Në bazë të gjitha këtyre, ai tha se konsideron që i akuzuari Llumnica duhet të lirohet.
Më pas, lirim kërkoi edhe vet i akuzuari Llumnica, i cili tha se nuk mund të besojë se si prokurori mbanë njerëz si ai në burg, e disa i lë të lirë.
Edhe avokati Arsim Bilalli, për klientin e tij, Ragip Sallova, kërkoi lirim nga akuzat.
Bilalli tha se gjatë gjithë këtyre shqyrtimeve, e vetmja gjë që është vërtetuar është se organizata “Syri i Popullit”, ka qenë organizatë fantome e krijuar nga një njeri me sëmundje psikike, siç është Murat Jashari.
Më pas, i akuzuari Sallova tha se e çuditë fakti se si prokurori Hoxha ka përpiluar një aktakuzë të tillë pa prova.
“Le ti qoftë në barrën e tij, e gjithë kjo, unë ju betohem që kurrë në jetën time nuk kam marrë pjesë në organizatë kriminale, ju jeni ata që vini drejtësi, e keni me ja përmirësu gabimet prokurorit, se do të vij dita që ky prokuror do të duhet të kërkoj falje për këtë aktakuzë” tha në fund i akuzuari Sallova.
Seanca është duke vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga ana e të akuzuarve të tjerë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.
Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.
Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.
Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.
Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.
Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.
Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.
Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.
Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.
I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.
Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.
Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.
Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.