Është arritur pajtim gjyqësor ndërmjet paditësit Elhami Ymeri dhe kompanisë së sigurimeve “Sigal”, pas aksidentit në trafik, që kishte ndodhur në maj të vitit 2015, në magjistralen Prishtinë-Podujevë.
Marrëveshja është arritur në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që e përfaqësuesja e të paditurës, Blerina Restelica, i ka ofruar shumën prej 1100 euro, për të gjitha format e dëmit material dhe jo material, si dhe shpenzimet e procedurës.
Fillimisht, paditësi Ymeri, nuk e ka pranuar shumën e ofruar prej 1000 euro, mirëpo pasi që përfaqësuesja e të paditurës i ka ofruar edhe 100 euro më shumë, dhe pas konsultimit me avokatin e tij, Gani Asllani, ai është pajtuar që këtë çështje ta mbyllin me pajtim gjyqësor.
Palët ndërgjyqëse, arritën marrëveshje, që shuma e përgjithshme për kompensimin e dëmit material dhe jo material për të gjitha format dhe kategoritë e dëmit të jetë prej 1100 euro.
Po ashtu, e paditura është obliguar nga gjykata që të paguajë shumën e përgjithshme prej 299 euro, në emër të shpenzimeve gjyqësore.
Gjykatësi i rastit, Hysni Ismaili, tha se të gjitha këto obligime e paditura duhet t’i paguaj në xhirollogarinë e përfaqësuesit të paditësit në afat prej 30 ditësh.
Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve e ka miratuar gjykatësi Hysni Ismaili.
Sipas padisë së ushtruar më 2 tetor 2015, në magjistralen Prishtinë-Podujevë, në fshatin Sekiraq, më 24 maj 2015, është shkaktuar aksident komunikacioni nga vetura e pasagjerëve “VË Golf”, ku ngasësi i saj, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe rrethanave në mot me shi, del në shiritin e kahes së kundërt dhe me pjesën e përparme të anës së majtë e godet automjetin “B”, në pjesën e pasme të së majtës, ku me këtë rast automjeti “B”, humb kontrollin dhe del jashtë rrugës në anën e djathtë, dhe me pjesën e par e godet automjetin “C”, duke shkaktuar aksident me lëndime dhe dëme materiale, ku lëndime trupore pëson paditësi Ymeri.
Në padi thuhet që automjeti, i cili ka qenë shkaktar i këtij aksidenti, në momentin e aksidentit ka qenë i siguruar të tani e paditura kompania e sigurimeve “Sigal”.
Me anë të kësaj padie, ai ka kërkuar nga gjykata që ta obligojë të paditurën që atij t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në aksident trafiku shumën prej 8900 euro.