I përgjysmohet paga nipit të pezulluar nga puna të Jakup Krasniqit

Me vendimin e Ministrisë të martën, Arian Krasniqit, nipit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, do t'i zbritet për 50 për qind pagesa e pagës që ai do të marrë si i pezulluar nga detyra e tij në MTI.

I përgjysmohet paga nipit të pezulluar nga puna të Jakup Krasniqit

Arian Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, do të marrë vetëm 50 për qind të pagës së tij derisa do të mbetet i pezulluar nga detyra, sipas një vendimi të nxjerrë të martën nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Arian Krasniqi, që mban pozitën e zyrtarit të lartë për Standarde dhe Cilësi të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë, u pezullua nga detyra 15 nëntor shkaku i një sulmi fizik të tij ndaj sekretarit të kësaj ministrie, Burim Rreci.

Sipas vendimit të Ministrisë, konform Ligjit për Zyrtarët Publikë, Krasniqi do të merrte pagë të plotë si i pezulluar nga puna.

Mirëpo, të martën e 14 janarit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka shfuqizuar vendimin e 15 nëntorit, për ta nxjerrë një vendim të ri për pezullimin e Arian Krasniqit.

Vendimi i ri është nxjerrë shkaku i pezullimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë nga Gjykata Kushtetuese rreth një muaj më parë. Krasniqi, sipas vendimit të ri, do të vazhdojë të mbetet i pezulluar nga detyra por tashmë konform Ligjit për Shërbimin e Civil të Republikës së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur të premten Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

“Pas pezullimit të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë  nga Gjykata Kushtetuese, që të mos ketë vakumit juridik institucional, Ministria e Administratës Publike me datë 10 01.2020 ka bërë Njoftim per institucionet që të vazhdohet të zbatohet Ligji Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Me vendimin e Ministrisë të martën, nipit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i zbritet për 50 për qind pagesa që ai do të marrë si i pezulluar nga detyra e tij në MTI.

“Me datë 14.01.2020, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e vendimit të datës 15.11.2019 si dhe në të njëjtën ditë ka nxjerrë vendim për pezullimin e nëpunësit civil, Arian Krasniqi, me pagesë 50% të pagës”, ka nënvizuar zyra për informim e MTI-së.

Djali i vëllait të Jakup Krasniqit ishte pezulluar nga puna për shkak të sulmit fizik ndaj sekretarit të kësaj ministrie, Burim Rrecit, më 11 nëntor të vitit të kaluar.

Ariani nuk ishte nipi i vetëm i punësuar i Jakup Krasniqit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Taulant Krasniqi, nipi tjetër i sekretarit të Nismës Socialdemokrate, kohë më parë ishte bërë Inspektor i naftës në MTI. /Insajderi.com