KDI kërkon transparencë për marrëveshjen e fluturimeve Prishtinë-Beograd

KDI kërkon transparencë për marrëveshjen e fluturimeve Prishtinë-Beograd

Instituti Demokratik i Kosovës, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të kenë transparencë për marrëveshjen e nënshkruar sot për lëshimin e linjës së fluturimeve Prishtinë-Beograd, të cilin do ta realizoi kompania gjermane “Lufthansa”.

Përmes një komunikate, KDI-ja ka kërkuar që të informohen qytetarët për këtë marrëveshje dhe procesin që i ka parapri nënshkrimit të saj.

“Sot është bërë e ditur arritja e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, në ambasadën e SHBA-së në Berlin, për vendosjen e linjës së fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd nëpërmjet kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa”. Deri tani, autoritetet kosovare kanë dhënë informacione të kufizuara lidhur me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e saj dhe procesin vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Për më tepër, publiku nuk ka informacion për implikimet që kjo marrëveshje mund të sjellë, p.sh. me çfarë dokumente udhëtimi do të mundësohet udhëtimi i qytetarëve në mes të këtyre dy kryeqyteteve dhe çështje të tjera që derivojnë nga kjo marrëveshje. KDI kërkon nga autoritetet e Republikës së Kosovës që të njoftojnë publikun mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe implikimeve të saj”, thuhet në njoftimin e KDI-së, raporton Insajderi.

Me tutje në këtë deklaratë, KDI po ashtu u ka thirrje institucioneve që të kenë transparencë edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm dhe përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, KDI-ja u bën thirrje autoriteteve të Republikës së Kosovës që të përkushtohen për transparencë dhe llogaridhënie, si parakusht për rritjen e besimit të publikut në procesin e normalizimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjatë digtës së sotme, Aviokompania Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se do të hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd në një të ardhme shumë të afërt.

Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera. /Insajderi