Prishtina, Vushtrria dhe Mitrovica, komunat me banorët më të varfër

Prishtina, Vushtrria dhe Mitrovica, komunat me banorët më të varfër

Kryeqyteti i Kosovës, është qyteti kryesor si destinacion për të gjetur punë pasi që të gjitha institucionet qeveritare janë të centralizuara në Prishtinë, por gjithashtu mbetet një nga qytetet me banorët më të varfër në vend.

Megjithatë statistikat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, tregojnë se qyteti me banorët më të varfër janë në komunë e ndarë në dy pjesë.

Komuna e Mitrovicës prinë me numrin më të madh të personave që marrin asistencë sociale, pasuar nga Komuna e Prishtinës dhe ajo e Vushtrrisë.

“Sipas të dhënave të muajit dhjetor të vitit të kaluar, në komunën e  Mitrovicës Jugore, 2 mijë e 98 familje marrinë asistencë sociale nga buxheti i Qeverisë të Kosovës, 1 mijë e 664 familje në Komunën e Prishtinës ndërsa 1 mijë e 435 familje nga Komuna e Vushtrrisë”, ka thënë zyrtari për informim në MPMS-së, raporton Insajderi.

Krahasuar me vitin 2015, numri i familjeve të cilat kanë marrë asistencë sociale është më i vogël në vitin 2016, por shuma e parave është më e madhe, kjo për shkak të rritjes së asistencës sociale për 25 për qind. Vendimi ishte marrë nga Qeveria e Kosovës, në tetor të vitit 2015.

Në vitin 2015 numri i familjeve të cilat kanë marrë asistencë sociale ka qenë gjithsej 320 mijë e 367, ndërsa shuma e parave që kanë marrë këto familje ka qenë 25 milionë e 203 mijë euro.

Ndërsa shifrat për vitin 2016 tregojnë se numri i familjeve ka qenë 315 mijë e 168, me 28 milionë e 787 mijë euro të konsumuara./Insajderi.com