A po shitet në Kosovë suxhuk i prodhuar nga mishi i kalit? Deklarohet AUV-i

A po shitet në Kosovë suxhuk i prodhuar nga mishi i kalit? Deklarohet AUV-i

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka demantuar lajmin se në tregun e Kosovës, shiten kuajt, mishi i të cilëve po përdoret për prodhimin e suxhukut.

Një person ditë më parë, u deklarua për një medium, se si në tregun e Ferizajt, ka shitur edhe ai vet kuaj, të cilët sipas tij janë blerë më shumë nga mishtoret. Ndërsa, i njëjti kishte pretenduar se kuajt që po shiten, vijnë ilegalisht nga Maqedonia.

Të pyetur në lidhje me këtë, AUV ka thënë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë informatë të argumentuar. Madje, të njëjtit thonë se thertoret e licencuara në Kosovë në kategoritë e kafshëve të cilat i therin  nuk  kanë të deklaruar për therjen e kafshëve të llojit të kuajve.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë deri me tani nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët apo informatë të argumentuar se ndonjë operatorë biznesi merret me përpunim të mishit të kalit. Lajmi i publikuar në media se një person me iniciale ka deklaruar se ka informata për tregtim ilegal të kafshëve duhet të bashkëpunojë me autoritete kompetente  për hulumtim të rastit. Nga informatat të cilat janë dhen si te pa plota ne si AUV nuk mund të gjejmë adresat e supozuar për veprimet e paligjshme.

Ruajtja e kufirit  për pengim të  kalimeve ilegale është kompetencë e Policisë dhe Doganave. Sa herë ata hasin në kontrabandim të kafshëve të gjalla apo produkteve ushqimore, njoftojnë autoritetin tonë dhe kërkojnë asistencë për veprimet të cilat ndërmerren ne koordinim. Tek rastet e kafshëve ne përmes sistemit të Identifikimit dhe Regjistrimit të Kafshëve ne përcaktojmë identitetin dhe kryejmë kontrollin e gjendjes shëndetësore të kafshëve, konfiskimi bëhet nga Doganat.

Nga kontrollet tona zyrtare të ushtruara tek operatoret e biznesit me ushqim, konkretisht tek thertoret dhe fabrikat e përpunimit të mishit, nuk kemi hasur ne therje apo përpunim të mishit të Kalit apo mish me origjinë të dyshimtë. Thertoret e licencuara në Kosovë në kategoritë e kafshëve të cilat i therin  nuk  kanë të deklaruar se therjen e kafshëve të llojit të kuajve”, thotë për Indeksonline, Lamir Thaçi, zyrtar për Informim Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

I njëjti tutje shton se këto  thertore gjatë orarit të punës kur kryejnë therje kanë prezent një veterinarë zyrtarë i cili kryen kontrollin shëndetësor të kafshës para therjes gjatë procesit të therjes dhe pas therjes dhe të gjitha therjet i raporton ne sistem. Po ashtu aty theren vetëm kafshët të cilat nuk janë ilegale.

“Ne deri me tani nuk e kemi të raportuar si të therur, asnjë kafshë të llojit të Kalit. Të gjithë përpunuesit e mishit të cilët janë të licencuar  kontrollohen nga ana inspektorëve veterinarë të AUV-së, gjatë kontrolleve zyrtare asnjëherë nuk është hasur në mish me origjinë të dyshimtë. Ata përpunojnë mishin nga thertoret e licencuara ose mishin i cili vjen nga importi dhe është i kontrolluar në kufij dhe për lëndën e parë gjithnjë posedojnë dokumentacionin e vlefshëm përcjellës. Listat e fabrikave të përpunimit të mishit në Kosovë janë të publikuara në ueb faqe te AUV-së dhe të gjitha iu nënshtrohen kontrolleve zyrtare nga ana e inspektorëve të AUV-së. Ato janë të vlerësuara nga komisioni profesionale dhe kategorizohen varësisht nga kushtet dhe praktikat e mira qe i zbatojnë ne prodhim. Pastaj në bazë të kategorisë përcaktohet frekuenca e kontrollit”.