Kujtim Shala: VV të heq dorë nga Kryekuvendari, s’ka kuptim të mos arrihet marrëveshja

Kujtim Shala: VV të heq dorë nga Kryekuvendari, s’ka kuptim të mos arrihet marrëveshja

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka gabuar kur e ka propozuar emrin e Glauk Konjufcës për Kryeparlamentar.

Sipas tij, VV-ja është dashur të pres edhe disa ditë, pasi që ajo pozitë është dashur t’i jepet LDK-së, në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Ne jemi të propozimi i parë, ne po kërkojmë që të reflektohet vullneti i popullit. Ai ka qenë një hap i Vetëvendosjes dhe ne e kemi mbështetur. Kandidati i Vetëvendosjes u votua pa marrëveshje, por ne kishim një zotim që të votohet kandidati nëse propozohet nga ta. Lëvizja Vetëvendosje nuk është dashur ta propozonte kandidatin, është dashur të pres”, tha ai për Gazetën Blic.

Disa javë pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si Kryeparlamentar, Shala tani thotë se e gjithë situata është bllokuar tek ky funksion, nga i cili pret që VV-ja të heq dorë, ndryshe është e pakuptimt sipas tij që të mos arrihet marrëveshja pas tre muajsh negociata.

“Heqja dorë nga mandatari i Kuvendit po qëndron në mes. Nuk ka kuptim të negociosh për muaj të terë dhe të mos arrish të përmbyllesh marrëveshje”, ka thënë Shala.