Fakti se Komuna e Mitrovicës së Jugut ka numrin më të madh të familjeve të varfra që marrin asistencë sociale nga shteti, për drejtuesit e qeverisë lokale ka një shpjegim.
Janë afro 3 mijë familje të cilat marrin para nga shteti, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por sipas Komunës së Mitrovicës së Jugut numri i tyre që kanë nevojë është edhe më i madh.
E krejt kjo ka një arsye të fortë, sipas Komunës së Mitrovicës.
Sipas tyre, familjet shqiptare që kanë jetuar në veri të Mitrovicës janë detyruar të regjistrohen në komunën e Mitrovicës së Jugut, pasi e kanë pasur të pamundur jetesën në një komunë të udhëhequr nga serbët e në të cilën funksionojnë ende institucionet paralele të Serbisë.
“Situatën e ka rënduar akoma më shumë edhe përndjekja e shqiptarëve me dhunë nga ekstremistët serbë nga lagjet veriore të qytetit të Mitrovicës, ku tash është themeluar komuna e re”, ka thënë për Insajderin, zyra për informim në Komunën e Mitrovicës.
Kësisoj, për komunën e drejtuar nga Agim Bahtiri, shkalla e varfërisë në këtë qytet nuk është e lidhur me mospunën e autoritete lokale por me faktorë të tjerë të jashtëm, sikurse gjendja politike dhe probleme nacionaliste në dy Mitrovicat.
Premtimi për hapjen e 15 mijë vendeve të punës nga Agim Bahtiri kryetar i Mitrovicës Jugore, nuk është realizuar për shkak të pengesave ashtu siç i quan vet komuna si të qëllimta për punësim, por me gjithë atë ata thonë se janë hapur dy mijë vende pune që nga ardhja e Agim Bahtirit në krye të Komunës.
“Kryetari Agim Bahtiri kur i ka bërë premtimet, nuk ka menduar se asnjëherë se do të ketë pengesa të qëllimta për krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe punësim, megjithëkëtë në Mitrovicë janë punësuar rreth 2.000 punëtorë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Zyrtarë të komunës jugore të Mitrovicës, megjithatë kanë thënë se së shpejti pritet të punësohen 465 persona në objektin afarist dhe qendrën multifunksionale.
Gjithashtu sipas komunës së Mitrovicës Jugore, pritet edhe punësimi i rreth 800 mitrovicasve. Këta pritet të punësohen në fabrikën e dytë të kërpudhave në Gushafc, që pritet të përfundojë së shpejti.
Agim Bahtiri nga Aleanca Kosova e Re (AKR), udhëheqë me Komunën e Mitrovicës Jugore që nga viti 2013, i cili fillimit kishte hyrë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo ky koalicion është prishur ne 8 dhjetor të vitit të kaluar.
Bahtiri hyri në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është një nga partitë më të zëshme kundër Qeverisë së Kosovës karshi gjendjes në Mitrovicë. /Insajderi.com