Beogradi vazhdon fushatën kundër njohjeve të Kosovës edhe nëse hiqen taksat

Këto janë qëndrimet e Beogradit para bisedimeve të sotme në mes të Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e trafikut hekurudhor. Kushti i Serbisë është që Kosova të obligohet se nuk do të ndërmerr aksione të reja për njohje të Kosovës, pretendojnë burimet nga presidenca e Serbisë.

Beogradi vazhdon fushatën kundër njohjeve të Kosovës edhe nëse hiqen taksat

“Beogradi i ka dy kushte për suspendimin eventual të lobimit për tërheqje të njohjeve të Kosovës: i pari është që Kosova t’i tërheqë taksat, ndërsa i dyti që ajo vet të obligohet se më nuk do të ndërmerr aksione që të rritet numri i vendeve të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, si dhe të mos kërkojnë anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, pretendon burimi i gazetës serbe “Novosti”.

Këto pozicione të Serbisë i janë paraqitur edhe emisarit të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, i cili haptas ka kërkuar nga Serbia ta ndërpresë fushatën për tërheqje të njohjeve të Kosovës, dhe si shkëmbim ka ofruar që Kosova t’i tërheq taksat në prodhimet e Serbisë.

Siç pretendojnë burimet e “Novostit”, “është plotësisht irracionale që Beogradi të pranojë ta ngrijë fushatën e tij për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, kur askush nuk jep garanci të forta që Kosova do të ndërpresë me lobim për njohje të reja”.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pas bisedës me Grenellin ka porositur se nuk e pranon shenjën e barazimit në mes të “futjes jolegale të taksave” dhe fushatës për tërheqje të njohjeve.

Në lidhje me këtë u deklaruar edhe shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, i cili ka pretenduar se “fushata për tërheqje është projekt shtetëror, se ka për qëllim mbrojtje të sovranitetit të Serbisë dhe se në asnjë mënyrë nuk mund të jetë kompensim për tërheqje të taksave”./Insajderi.com.