Spitali Amerikan për dy vjet mori 19 milionë euro, deklaron 1,7 milionë humbje

Spitali Amerikan për dy vjet mori 19 milionë euro, deklaron 1,7 milionë humbje

Spitali Amerikan në Prishtinë për dy vjet i ka ngarkuar rreth 19 milionë euro financiarisht pacientët kosovarë për shërbime të ndryshme shëndetësore, përderisa ka paguar zero euro tatim në fitim në arkën e shtetit, pasi që ka deklaruar rreth 1.7 milionë euro humbje.

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Front Online, gjatë viteve 2017/2018 spitali më i madh privat në vend përkundër të hyrave rreth 19 milionë euro, ka përmbyllur vitet me 1.7 milionë euro humbje, duke mos paguar asnjë cent në emër të tatimit në fitim për akrën e shtetit.

Sipas raportit të Auditorit të siguruar, shihet se gjithsej të hyrat në vitin 2018 figurojnë rreth 9 milionë euro, deri sa ketë vit shpenzimet e deklaruara kishin arritur vlerën prej mbi 10.1 milionë euro, duke mbyllur vitin financiar kështu me një humbje prej 1 milionë e 269 mijë e 683 euro.

Sipas raportit në fjalë, pjesa më e madhe e shpenzimeve i takon kategorisë së pagave dhe mëditjeve, ku për këtë kategori Spitali Amerikan kishte shpenzuar 4,593,285 euro,  për shpenzimet e mallit të shitur ishin shpenzuar 2,010,526 euro, deri sa për shpenzime tjera afariste vetëm për një vit ky spital privat ka shpenzuar 2,147,363 euro.

Po ashtu, sipas dokumentit në fjalë shihet se të hyrat e spitalit gjatë vitit 2017 kishin qenë 9,714,677 euro, deri sa shpenzimet e deklaruara sipas raportit të auditorit ishin 10,125,593 euro, duke përfunduar vitin me 410 mijë euro humbje.