Veliu del kundër ofertës së re nga VV: Nuk e di çfarë lloj oferte është ajo

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se nuk e marrin parasysh ofertën e re të VV-së, për 2 ministri më shumë duke ia lënë VV-së Kryeparlamentarin.

Veliu ka deklaruar se janë duke pritur që VV të deklarohet për ofertën e tyre të mëhershme.

“Për punën e ministrive jemi marrë vesh, 2 do t’i marrim. Ne po presim nga VV që të deklarohet nga oferta jonë, Kryeparlamentari dhe pesë ministri. Kjo ofertë qëndron”, ka deklaruar Veliu.

E për takimin e sotëm mes dy partive, Veliu ka thënë se gjasat janë por nuk dihet.

“Çfarëdo epilogu që do të ketë ky proces, duhet të ketë një kohë që të kryhen disa punë dhe detyra që na presin, qoftë ai pozitiv, qoftë ai tjetër, duhet të ketë kohë VV të bëj përpjekje të tjera. Unë mendoj se ky process duhet të mbyllet sot”, ka shtuar ai./Insajderi.com/