Arrestohet 29 vjeçari, ngacmonte dy fëmijë në rrjete sociale

Arrestohet 29 vjeçari, ngacmonte dy fëmijë në rrjete sociale

Është vënë nën pranga një shtetas nga Fieri dhe procedohen në gjendje të lirë dy persona të tjerë pasi me anë të komunikimeve në rrjetin social Facebook, në periudha të ndryshme, kanë ngacmuar dy fëmijë të mitur, 9 vjeç e 12 vjeçe, banues në Amerikë.

Në rrjetin social “Facebook”, janë prodhuar e dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencinë ligjzbatuese “Homeland Security” në SHBA, kryen një hetim një-vjeçar, pasi u mor njoftimi se ekzistonin komunikime mes disa profileve të rrjetit social Facebook, të cilat kishin të bënin me pornografi me të mitur.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, një laptop “Lenovo”, 10 aparate celular, karta e USB-së dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se kanë të bëjnë me veprën penale.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë e Tiranës, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 10 vjet burg.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit

Finalizohet operacioni policor “E-TRACE”, për goditjen e krimeve kompjuterike.

Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, DVP Tiranë e Fier dhe me agjencinë ligjzbatuese “Homeland Security” në SHBA.

Goditen dy raste të pornografisë me të mitur.

Vihet në pranga një 26-vjeçar nga Fieri.

Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kompjuterike, ka realizuar dy goditje në fushën e pornografisë me të mitur, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.

Si rezultat i bashkëpunimit me “Homeland Security” u mor njoftimi se ekzistonin komunikime mes disa profileve të rrjetit social facebook, të cilat kishin të bënin me pornografi me të mitur dhe menjëherë, në bashkëpunim me prokurorinë, specialistët e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit nisën hetimet.

Pas një hetimi rreth 1 vit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në kuadër të procedimit penal të nisur për veprën penale “Pornografia me të mitur”, u zhvillua dhe u finalizua operacioni policor “E-TRACE”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. Dh., 26 vjeç, lindur e banues në Fier.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë edhe dy shtetas, 22 e 25 vjeç, banues në Tiranë e Fier.

Materiali kallëzues kishte të bënte me dy profile në rrjetin social facebook, nëpërmjet të cilëve janë prodhuar e dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur. Përdoruesit e këtyre profileve, me anë të komunikimeve në rrjetin social facebook, në periudha të ndryshme, kanë ngacmuar dy fëmijë të mitur, 9 vjeç e 12 vjeçe, banues në Amerikë.

Nga hetimet e kryera në vazhdimësi u provua se të dyja këto profile i përkisnin shtetasit të ndaluar.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

Një laptop “Lenovo”, 10 aparate celular, karta e USB-së dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se kanë të bëjnë me veprën penale.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat të cilët mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 10 vjet burg. /Insajderi.com