Polici i plagosur që u transferua në QKUK, është jashtë rrezikut për jetë

Polici i plagosur që u transferua në QKUK, është jashtë rrezikut për jetë

Agron Itaku, mjeku kujdestar në Emergjencë pranë Qendrës Klinike Universitare, ka thënë se është stabile gjendja e zyrtarit policor që u transferua nga Spitali i Prizrenit në QKUK pas lëndimeve që pësoi nga shpërthimi i një eksplozivi në Zhur të Prizrenit.

Itaku ka thënë se pjesëtari i policisë ka marrë lëndime në regjionin e fytyrës dhe në fyt, por gjendja e tij është stabile.

“Është duke u trajtuar ende, është jashtë rrezikut për jetë. Lëndimet i ka më së shumti në regjionin e fytyrës dhe në fyt”, ka thënë Itaku për Indeksonline.

Ndërsa, një pjesëtar tjetër i Policisë së Kosovës që ka mbetur të lënduar gjatë aksionit të antidrogës në Zhur të Prizrenit, është duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit. Gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Shpërthimi në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit, e që doli të jetë fatale për një polic, ka ndodhur gjatë kohës kur aty po kryhej bastisja në një rast për parandalim dhe zbulim të narkotikëve.