Hoxhaj njofton afër 50 homologë të tij për provokimet serbe

Hoxhaj njofton afër 50 homologë të tij për provokimet serbe

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, u ka dërguar letër 49 ministrave të Jashtëm të shteteve të ndryshëm në botë, të cilët i ka njoftuar se në javët e fundit, Kosova ka qenë subjekt i veprimeve të shumta provokuese dhe agresive nga ana e Qeverisë së Serbisë.

Në letrën e Hoxhajt thuhet se politika e re e Serbisë kundër Kosovës përfaqëson jo vetëm devijim fundamental të Serbisë nga zotimi për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “por përfaqëson devijim domethënës nga rruga e saj e integrimit evropian, si dhe kërcënim të ri në aspektin e sigurisë të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor”.

Në letër përmendet tentimi i Serbisë për të futur në Kosovë trenin ilegal dhe sqarohet se vendi nuk është kundër lëvizjes së lirë, porse “shqetësim për Kosovën ishte natyra provokative e këtij treni dhe roli potencial destabilizues që bartë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin.”

“Siç kemi ilustruar edhe përmes reagimeve tona të matura dhe të kujdesshme, Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit janë të përkushtuara për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të përkatësisë serbe”, thuhet në letrën e Hoxhajt.

Hoxhaj po ashtu ka dënuar edhe deklaratat e kryeministrit serb Vucic, se gjoja ka pasur tentim për të hedhur në erë një pjesë të hekurudhës ku planifikohej të kalonte treni.

“Është tmerruese të dëgjosh deklarata të tilla keq informuese nga një kryeministër serb, të cilat ne i kuptojmë si asgjë tjetër pos një përpjekje për mbulimin e veprimeve të tyre agresive dhe ndërhyrëse ndaj Kosovës. Më 14 janar 2017, Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç ka kërcënuar haptas me përdorim të forcës dhe dërgim të ushtrisë serbe në Kosovë, me arsyetimin se duan ta mbrojnë komunitetin serb në Kosovë”, thuhet në letër.

Në letër përmendet edhe arrestimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Kjo, për Republikën e Kosovës është e papranueshme, sepse Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm  për akuzat për krime lufte në Tribunalin e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavi”, thuhet në let

Hoxhaj ka njoftuar homologët e tij edhe për arrestimin e komandantit policor, Nehat Thaci, si dhe për bojkotimin e institioncve të Kosovës nga Lista Serbe.

Muri i ndërtuar afër lumit Ibër në Mitrovicë po ashtu është përmendur në letër.

“Ky veprim provokativ ka për qëllim të shkaktojë përçarje etnike në Kosovë dhe ta dëmtojë normalizimin e marrëdhënieve. Përpjekjet e Serbisë për të krijuar hapësira një-etnike në territorin e Kosovës janë të kundërligjshme dhe të papranueshme”, thuhet në letrën e Hoxhajt.