Iniciativa e Thaçit për promovimin e të drejtave të LGBTIQ+, ja si reagon ambasadori Grenell

Iniciativa e Thaçit për promovimin e të drejtave të LGBTIQ+, ja si reagon ambasadori Grenell

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ndërmarrë një iniciativë për themelimin e një Këshilli konsultativ për të drejtat e LGBTIQ+.

Kjo iniciativë sipas tij, do të ketë prioritet promovimin e të drejtave të këtij komuniteti ndërsa njoftimin e ka bërë publik në llogarinë e tij të rrjetit social, Twitter.

Ai është takuar me dy përfaqësues të komunitetit, Arbër Nuhiun dhe Blert Morinën ndërsa, Insajderit për këtë takim i është thënë se është prezantuar vetëm ideja fillestare, pa diçka definitive.

“Një takim i shkëlqyer me përfaqësuesit e LGBTIQ+ në Kosovë, Arbër Nuhiu dhe Blert Morina për të diskutuar për themelimin e një Këshilli konsultativ për të drejtat e LGBTIQ+ në kuadër të Zyrës së presidentit të Republikës së Kosovës. Promovimi i i të drejtave për LGBTIQ+ është një prioritet i rëndësishëm”, ka shkruar Thaçi në Twitter sot gjatë ditës.

E ndaj shkrimit të Thaçit në Twitter reagoi Richard Grenell, emisari i presidentit Donald Trump. Ai e falënderoi Thaçin për këtë iniciativë.

“Falemnderit, President Thaçi”, shkroi Grenell në Twitter.

Grenell, i cili ka marrë rolin e ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë-Serbi, po ashtu i takon komunitetit LGBTIQ+.