Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka dalë me një tjetër epitet për drejtorin ekzekutiv të Radiotelevizionit publik, Mentor Shala.
Duke iu përgjigjur akuzave të shoqërisë civile dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës se VV-ja po ndërhynë në lirinë e medieve, Haxhiu ka thënë se Shala nuk është gazetar dhe për këtë arsye VV-ja nuk e ka sulmuar asnjë gazetar.
“Profesioni dhe parimet e gazetarisë nuk do të lejonin asnjëherë që Mentor Shala dhe soji i tij të bartin emrin gazetar. Pra, Mentori nuk është gazetar, por një shërbyes i regjimit “Pronto’”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Deputetja e ka quajtur Shalën një gënjeshtar që “flet për likuidim gazetarësh dhe për totalitarizëm e diktaturë është shërbyes i një regjimi kriminal e gjysmë-autoritar, i cili në stilin gebellsian e filloi fushatën ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! me synimin që të shpallet terroriste”.
Haxhiu ka bërë një kërkesë për Shalën.
“Ne kërkojmë që ky njëri, me gjithë përgjegjësit e tjerë që u përpoqën që të montojnë rastin e aktivistëve tanë, të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre. Mentorin dhe të tjerët do t’i mbajmë përgjegjës për padrejtësinë ndaj gjashtë aktivistëve të arrestuar, për vdekjen e Astritit që u arrestua pa asnjë provë dhe humbi jetën në rrethana të dyshimta”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se VV nuk do të ndalet në asnjë moment së kërkuari drejtësi.
“Kjo nënkupton që Mentori dhe miqtë e tij nga klani ‘Pronto’ të jenë prapa grilave. Demokracia do të thotë sundim i popullit e jo sundim i klanit ‘Pronto’”, ka shkruar në fund Haxhiu.
Një orë para këtij qëndrimi të Haxhiut, kishte reaguar edhe vet Shala, duke komplimentuar Asociacionin e Gazetarëve që ka dalë në “mbrojtje të profesionit dhe parimeve të gazetarisë”, në një kohë kur politika po e sulmon gazetarin.
“Linçimet publike dhe thirrjet për likuidim të gazetarëve dhe shkatërrimit të mediave nga subjekte të caktuara politike (në këtë rast VV) janë praktika të njohura dhe të dëshmuara në regjimet totalitare e diktatoriale. Fatkeqësisht në Republikën e Kosovës ka subjekte politike me orientime të tilla”, ka shkruar Shala./Insajderi.com