
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se Autostrada e Anamoravës do të ndërtohet gjatë këtij mandati qeverisës, ndërsa ka premtuar edhe zgjidhjen e problemit të thatësisë në Gjilan.
Abdixhiku në rrjetin social Facebooik, ka shkruar se ndërtimi i kësaj autostrade është pika e parë infrastrukturore e programit të qeverisë së re, por se do të bëhet sipas ligjeve në fuqi, transmeton Insajderi.
“Autostrada e Anamoravës do të bëhet dhe pikë. Brenda këtij mandati qeverisës. Është pika e parë infrastrukturore e programit të qeverisë së re. Por do të bëhet sipas ligjeve në fuqi. Sipas Buxhetit 2020! Me ligj dhe mirë”, ka thënë Abdixhiku.
Tutje, ai ka shtuar se po punohet edhe për zgjidhjen e problemit të thatësisë në Gjilan.
“Sot takova zyrtarët e Bankës Botërore. U dakorduam të përshpejtojmë marrëveshjen për kredi që kishte mbetur në harresë. 60 milionë euro investime në ujëra për ndërtimin e digave në regjionin e Gjilanit dhe kështu adresimin e problemit të thatësisë njëherë e mirë”, ka shkruar ai./Insajderi.com/